Shkodër – Shkrumbohen dy banesa, rrugicat e ngushta vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve

Një zjarr masiv përfshiu mesnatën e shkuar dy objekte në rrugën “Omaraj” në Shkodër, në të cilat banonin disa familje. Ndërtesat u dogjën plotësisht, ndërsa rrezikuan edhe të tjerat që ishin ngjitur me to.
Nga zjarri nuk pati të lënduar falë ndërhyrjes së shpejtë të një qytetari, i cili mes flakëve nxori nga banesa një bombol gazi dhe një çift të moshuarish, duke u shpëtuar jetën përpara se të asfiksoheshin.
Automjetet zjarrfikëse patën vështirësi për të mbërritur në vendngjarje për shkak të rrugicave të bllokuara nga parkimet e automjeteve. Ndërhyrja për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve u bë e mundur nga dy anët e rrugës, por për zjarrfikëset ishte një operacion i vështirë.
“Ishte e vështirë të futeshe me mjet nga rrugicat e ngushta. Edhe zjarri ishte i përhapur si nga rruga, edhe nga ana tjetër. U desh shumë kohë për të hyrë me të gjitha makinat”, tha Agim Ponari, drejtor i Zjarrfikësve Shkodër.
6 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë ndërhynë për shuarjen e flakëve.
“Kemi ndërhyrë me 6 automjete zjarrfikëse dhe një efektiv prej 15 vetash. Vazhdojnë ende të jenë problem rrugicat e ngushta në rast rënieje zjarri”, tha Bashkim Ramaj, shef i Sektorit të Ndërhyrjes.
Ekspertët zjarrfikës janë duke hetuar për të nxjerrë shkaqet e zjarrit të madh. Nga hetimet paraprake mendohet që ai të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/