Shkodër, 165 aplikues të pakontaktuar për trajtimin e banesave pa titull

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Procesi për trajtimin e banesave pa titull, të ndërtuara para vitit 1991, vijon në zonën urbane të Shkodrës, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës u ka bërë thirrje 165 aplikuesve të përditësojnë të dhënat e kontaktit.
Sipas ASHK-së, këta aplikues nuk janë arritur të kontaktohen nga ekipet në terren. Për këtë arsye, lista me emrat e tyre është bërë publike pranë Bashkisë Shkodër dhe në faqen online të agjencisë.
Kadastra njofton se, personat që identifikojnë emrin e tyre në listë duhet të përditësojnë numrin e telefonit pranë zyrës së ASHK-së Shkodër, për të mundësuar vijimin e procedurave administrative për trajtimin e banesës.
Ndërkohë, ekipet e ASHK-së po vijojnë punën në terren në lagjet “Tophan”, “Xhabije”, “Ndocej”, “Rus”, “Dërgut”, “Gjuhadol”, “Tom Kola”, “Skënderbeg”, “Perash”, “Arra e Madhe” dhe “Dragin”.
Procesi lidhet me trajtimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991, që nuk kanë titull pronësie.
/e.xh/r.e/a.f/