Shkodra me pamje të re, ish-reparti ushtarak në Bërdicë nga parking i madh ndotjeje me makina të sekuestruara, do të kthehet në park për fëmijët

Shkodra po merr një pamje të re me transformimin e ish-repartit ushtarak në Bërdicë, një zonë prej dekadash e zënë nga mbetjet e makinave dhe hekurishteve, që tani po kthehet në hapësirën më të madhe publike të qytetit. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronës në administrim të Bashkisë Shkodër, punimet për pastrimin e zonës kanë përfunduar, duke hapur rrugën për ndërtimin e parkut “Dua të luaj”.
Kryeministri Edi Rama, duke komentuar zhvillimin në rrjetet sociale, theksoi se aty ku për 30 vite ishte një “parking i madh ndotjeje”, sot Shkodra po fiton një hapësirë të re jete. Ky park do të ofrojë mundësi argëtimi dhe rekreacioni për fëmijët dhe familjet e të gjitha moshave.
Rama shtoi se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, kanë inspektuar zonën e pastruar. Sipas Xhajës, rreth 327 automjete dhe motomjete janë hequr nga zona dhe transportuar në Porto Romano, ndërsa mbetjet e tjera ishin aty prej më shumë se 12 vitesh.
“Sot kjo hapësirë është e lirë dhe gati për investim,” tha Xhaja.
Projekti përfshin tre hektarë tokë dhe parashikon ndërtimin e një këndi modern lojërash për fëmijë, hapësira rekreative për prindërit dhe gjelbërim.
Kryebashkiaku Beci e cilësoi këtë një transformim të rëndësishëm për qytetin, duke theksuar se “zona e liruar nga makinat e ndryshkura do të shërbejë si një park për fëmijët e Shkodrës.”
Ky investim, që pritet të nisë së shpejti, synon të gjallërojë jetën e banorëve dhe të kthehet në një simbol të transformimit urban të qytetit.
/rtsh.al/