E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra përgatitet për Kampionatin Europian të Futbollit U-21 në vitin 2027

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Shkodra do të jetë një nga qytetet pritëse të Kampionatit Europian U 21 në vitin 2027, me stadiumin “Loro Boriçi” që do të presë ndeshje të këtij kompeticioni të rëndësishëm të futbollit europian për të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci,në kuadër të përgatitjeve për organizimin e kampionatit, zhvilloi një takim me Guillaume Poisson, Drejtues i Operacioneve të Turneve në UEFA.

Gjatë takimit u diskutua për organizimin e kampionatit dhe përgatitjet që nevojiten për Shkodrën në cilësinë e një prej qyteteve pritëse.

“Me traditën e saj të madhe sportive, pasionin e jashtëzakonshëm për futbollin dhe mikpritjen që e karakterizon, Shkodra do të jetë një skenë e denjë për këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare”, u shpreh Beci në një reagim.

Kampionati Europian U 21 i vitit 2027 pritet të sjellë në Shkodër një tjetër aktivitet të rëndësishëm të futbollit europian, duke e vendosur qytetin në qendër të vëmendjes sportive ndërkombëtare.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›