E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoi për të grabitur banesën, bie nga kati i dytë 19-vjeçari

TIRANE-Shkon për të grabitur, hidhet nga kati i dytë grabitësi 19-vjeçar. Xhulio Noka, i njohur ndryshe me nofkën (Qordja), dukej se e kishte kthyer në profesion vjedhjen, pasi nuk është hera e parë që ai arrestohet për akuzë në Tiranë.

Burime policore bëjnë me dije se i riu mëngjesin e së premtes ka hyrë në banesën e Qemal Çunit me origjinë nga Skrapari dhe ka arritur që t’i marrë një aparat celular dhe shumën prej 10 mijë lekësh. Sipas policisë, pronari i banesës e ka ndjerë 19-vjeçarin vetëm kur ai ka dalë nga banesa për shkak të zhurmës që ka bërë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 minuta, në zonën e Alliasit, ku menjëherë pas sinjalizimit kanë mbërritur blutë e Komisariatit nr.4, të cilët kanë marrë në pyetje pronarin e shtëpisë. Mësohet se Qemal Çuni ka pohuar se kanë qenë orët e para të mëngjesit kur ka ndier zhurma në banesë dhe është ngritur. “Ndjeva zhurma, sepse hajduti u hodh nga kati i dytë i banesës. E pashë vetëm kur u largua. Ra poshtë në një llamarinë”, ka thënë para forcave të policisë Çuni. Sipas bluve, pasi 19-vjeçari ka rënë poshtë, ai ka vrarë krahun dhe ka shkuar në spital, ku edhe është bërë edhe arrestimi i tij.

Mësohet se Xhulio Noka ka qenë edhe dy herë më parë i dënuar për vjedhje. Në 29 maj të vitit të kaluar, Noka në bashkëpunim me një person tjetër ka hyrë në një banesë në rrugën e quajtur “Abedin Cici”, ku ka marrë shumën prej 55 mijë lekësh. Për këtë veprim, 19-vjeçari u dënua me një vit burg. Po atë vit, Noka ka vjedhur një tjetër banesë në kryeqytet, vepër për të cilën është dënuar me 9 muaj burg.

(GSh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›