E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shkoi për të vjedhur një grua por pikaset/ Grabitësi nga Vlora hidhet nga ballkoni dhe bie në duart e policisë

Ka rezultuar në dështim një tentativë grabitje në Vlorë mëngjesin e kësaj të shtune.

Një i ri 26-vjeçar ka hyrë në banesën e një shtetase dhe ka mundur të marrë vetëm një aparat celular pasi është pikasur nga pronarja e shtëpisë.

Menjëherë kjo e fundit ka lajmëruar policinë.

26-vjeçari në tentativë për tu larguar është hedhur nga ballkoni dhe ka marrë dëmtime në trup.

Si pasojë nuk ka mundur të arratiset në kohë por ka rënë në duart e policisë e cila kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.

Pas identifikimit nga policia, 26-vjeçari ka rezultuar se ka kryer grabitje edhe më parë.

Vlorë

Vodhi në banesën e një shtetaseje dhe tentoi të shmangte shërbimet e Policisë që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar.

26-vjeçari i arrestuar, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” dhe i dyshuar si autor i një vjedhjeje tjetër. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një telefonate në sallën operative të DVP Vlorë se në një banesë në lagjen “1 Maji” , një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në një banesë dhe po tentonte të largohej pasi pikasur nga pronarja e baneses, organizuan menjëherë punën për kapjen e tij. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë u arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-G. Ç., 26 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë. 

Ky shtetas, gjatë orëve të mëngjesit të ditës së djeshme, dyshohet se ka hyrë në banesën e një shtetaseje dhe pasi ka vjedhur një aparat celular, ka tentuar të largohet pasi është pikasur prej saj. Gjatë tentativës për t’u larguar, 26-vjeçari është hedhur nga ballkoni i banesës (për pasojë ka marrë dëmtime në trup), por nuk ka mundur të largohet pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, pas telefonatës për këtë rast.

Nga hetimet dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi G. Ç. është autori i vjedhjes së një tjetër aparati celular, në lagjen “1 Maji”, më datë 02.08.2022.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›