E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë, Manastirliu: Hap dyert në shtator, kushte bashkëkohore

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin, përmes investimeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Kuçovës.

Manastirliu nënvizoi faktin se po investohet për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore.

Më herët, ministrja Manastirliu është shprehur se sezoni i verës është vënë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

“Kemi të gjithë fokusin te mirëmbajtja e rrjetit të shkollave ekzistuese dhe te investimet e reja që duam t’i finalizojmë. Vetëm për ciklin 2025-2026, janë mbi 4 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kantiere të reja të shkollave dhe objekteve sportive. Janë 22 objekte arsimore në të gjithë vendin dhe 18 objekte për sportin, pra 40 objekte në total në të cilat po investohet duke filluar nga ky vit, ndërkohë që përmbyllim edhe 40 të tjera të nisura vitin e shkuar, për të bërë të mundur që të kemi një infrastrukturë dinjitoze për më shumë cilësi në arsim”, u shpreh Manastirliu.

Nëpërmjet një programi të integruar ndërtimi dhe rehabilitimi, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.

Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë e rikonstruktuar 1 nga 7

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›