Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan, me hapësira të reja multifunksionale

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Skena e shkollës artistike “Onufri” në Elbasan do të rikonstruktohet për të ofruar parametra cilësorë.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore, Vesa Liço, kanë inspektuar punimet e skenës në shkollën artistike “Onufri”.
Drejtori i shkollës, Ilir Zdrava, pohoi se punimet po ecin me ritme shumë të shpejta dhe pritet të përfundojnë brenda 10 ditësh.
“Ambientet janë projektuar me parametra cilësorë që kërkon një sallë e tillë, duke përfshirë jo vetëm akustikën, por edhe kushtet për performancë artistike, çka krijon një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e aktiviteteve”, tha Zdrava.
Skena është llogaritur për një orkestër simfonike mesatare, duke krijuar mundësi që të shfrytëzohet jo vetëm nga shkolla, por edhe nga qyteti. Ajo përfshin edhe një paraskenë, duke marrë parasysh faktin se shkolla “Onufri” ka disa lloje formacionesh, të cilat do të kenë fleksibilitet në performancat e tyre.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Llatja tha se me sallën e re po përgatiten për festën e fëmijëve më 1 qershor në shkollën “Onufri”.
“Pas rikonstruksionit total që u realizua, në shkollë u krijua nevoja për mjetet përkatëse didaktike, por edhe për një sallë multifunksionale që shërben për aktivitete të ndryshme të nxënësve. Të gjitha projektet e shkollave të reja përfshijnë një sallë multifunksionale, që shërben jo vetëm për nxënësit, por edhe për takime me prindër dhe komunitetin. Salla e re po përshtatet me investimin e bashkisë së Elbasanit, bazuar mbi kërkesat e shkollës, dhe pritet që në fillim të majit të jetë e gatshme për përdorim, duke plotësuar të gjitha nevojat e shkollës”, theksoi Llatja.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “me këtë investim, shkolla artistike “Onufri” plotëson gjerdanin e saj, duke u bërë një qendër e përbashkët për edukim, art dhe komunitet”.
Salla multifunksionale nuk do t’i shërbejë vetëm shkollës, edhe pse qëllimi kryesor është që nxënësit të mësojnë dhe të zhvillojnë aktivitetet artistike në një ambient të përshtatshëm. Ajo do të jetë në shërbim edhe të qytetit dhe komunitetit, duke ofruar një hapësirë që plotëson nevojat për aktivitete të ndryshme kulturore dhe sociale.
1 nga 5/k.s/j.p/