Shkolla e Picarit në Vorë, do të hapë dyert në 9 shtator për 1700 nxënës

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Shkolla e Picarit në Vorë, do të hapë dyert në 9 shtator.
Kryeministri Edi Rama ndau videon nga vizita e minisres së Arsimit dhe Sportit në këtë shkollë.
“Shkolla e bukur e Picarit në Vorë, një nga 25 shkollat e reja që do të hapë dyert në 9 shtator, mundëson kushte moderne për nxënësit dhe mësuesit, teksa vijon edhe shpërndarja e librave falas për të nisur mbarë vitin e ri shkollor’, u shpreh Rama.
Kjo shkollë e rilindur është pjesë e një investimi të gjerë në infrastrukturën arsimore të bashkisë Vorë, ku janë rindërtuar gjithsej 6 shkolla dhe 3 kopshte, duke përfshirë financimet nga buxheti i shtetit dhe Programin “EU4School”. Përfitues të këtyre investimeve janë 1 700 nxënës dhe 127 mësues.
Në të gjithë vendin janë 25 objekte arsimore që kanë përfunduar dhe janë të gatshme për vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa puna vazhdon në objekte të tjera, të cilat pritet të përfundojnë brenda këtij viti shkollor.
Përveç infrastrukturës shkollore, është siguruar dhe shpërndarja e librave falas për nxënësit e kësaj shkolle. Në gjithë Shqipërinë janë rreth 238 mijë nxënës që do të përfitojnë librat falas, përfshirë nxënësit e klasave I-IX dhe 12 500 nxënës të gjimnazeve të cilët janë pjesë e kategorive sociale me mbështetje ekonomike, pa mbështetje prindërore, fëmijë me aftësi të veçanta dhe ata nga komuniteti rom dhe egjiptian.
/a.f/