E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat në epokën dixhitale, mësuesit trajnohen për inteligjencën artificiale

Shkollat shqiptare po hyjnë drejt një epoke të re digjitale. Me ndryshimin e kurrikulave që do të nisin në shtator të vitit të ri akademik,  fokusi nuk është vetëm te programet mësimore por edhe në trajnimin e mësuesve përsa i përket AI dhe teknologjisë.

Deri  më tani 2.409 mësues të të gjitha profileve në arsimin parauniversitar, janë trajnuar në Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional lidhur me sfidat e arsimit modern.

“Sot kemi rritur numrin e universiteteve publike që ofrojnë trajnim nga 7 në 9. Trajnimi ka nisur në muajin prill dhe do të vijojë deri në dhjetor, për të përgatitur mësuesit për ndryshimet e kurrikulave të klasës së parë, të gjashtë dhe të dhjetë. Përveç temave dhe koncepteve të reja, po punohet edhe me metodologji të reja të mësimdhënies dhe përdorimin e teknologjisë në klasë”, tha Gerti Janaqi, drejtor, Agjensia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

Janaqi thekson se tekstet e reja do të shoqërohen edhe me platforma digjitale, ndërsa teknologjia tashmë është pjesë e pandashme në sistemin arsimor.

“Tekstet e reja do të shoqërohen edhe me platforma digjitale. Nuk do të kemi vetëm tekste fizike, por edhe materiale digjitale për nxënësit dhe mësuesit. Ndërkohë, përdorimi etik i inteligjencës artificiale është pjesë e paketës së trajnimeve, si edhe përdorimi i saj për të reduktuar ngarkesën administrative të mësuesve, si planet ditore apo dokumentacioni tjetër”, tha Janaqi.

Nderkohe, ekspertja e arsimit Irsa Ruci vlerëson se trajnimi është i domosdoshëm për integrim edhe të mësuesve me teknogjinë , në mënyrë që përdorimi i inteligjencës artificiale, të përcillet në formën e duhur.

“Sot mësuesi nuk është vetëm transmetues i dijes, por mentor që ndihmon të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike dhe të kërkojnë informacion në mënyrë të pavarur. Është shumë e rëndësishme që mësuesit të integrohen me teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që ta përdorin dhe t’ua përcjellin nxënësve në mënyrën e duhur”, tha Irsa Ruçi, eksperte arsimi.

Sipas të dhënave trajnimet zhvillohen me pjesëmarrjen e rreth 200 pedagogëve nga 9 universitete. Trajnimet përfshijnë gjithashtu shërbimin psikosocial, mësuesit e diasporës dhe ata të gjuhës angleze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›