Shkrirja e Komisionit të Integrimit, Bardhi: Opozita u përjashtua nga procesi. Balla: I takon mazhorancës!

Shumica dhe opozita parlamentare mbajtën të hënën një mbledhje konsultative me kryetarëve e grupeve parlamentare për të diskutuar çështjen e ndarjes së komisioneve parlamentare.
Propozimi i bërë nga kryeministri Edi Rama e rrit numrin e komisioneve nga 8 në 11, ndërsa realizon edhe një bashkim të Komisionit për Çështjet Europiane, që e ka drejtuar opozita, me Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, të cilin tani do e ketë përsipër shumica qeverisëse.
Pas takimit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi socialistët se nuk ishin konsultuar paraprakisht për këtë.
“Për opozitën është e papranueshme që në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste të njoftohet opinioni publik mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë dhe komisionet e tij parlamentare janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe të opozitës. Si në çdo vend demokratik, organizimi i punës së Kuvendit do të duhej të ishte produkt i përbashkët i mazhorancës dhe i opozitës. Fakti i prezantimit të këtyre ndryshimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste, fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste tregon edhe njëherë frymën autoritare që Edi Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne kjo është e papranueshme.
Së dyti kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit Europian, praktikisht mekanizmi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin e vet konstruktiv dhe për të dhënë konsensus në gjithçka që lidhje me procesin e integrimit, në këtë moment zerohet, për shkak se ky komision është bashkuar me Komisionin e Jashtëm dhe pas 21 viteve, opozita nuk do të ketë më procesin e drejtimit të këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë Komisionin e Integrimit, por kemi shkrirë Komisionin e Jashtëm në fakt pasqyron atë që ne e kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për ta përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit europian,” deklaroi z. Bardhi.
Në mbledhje, ai zbuloi se socialistët pretenduan që si model i funksionimit të parlamentit me komisionet e reja është marrë Bundestagu gjerman.
Na u soll si argument kemi ndjekur modelin e organizimit të Bundestagut gjerman. “Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestagun gjerman e di që atje ka edhe Komision të Jashtëm, ka edhe Komision të Çështjeve Europiane,” kundërshtoi kryetari i grupit demokrat.
Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, deklaroi se në këtë fazë të procesit të aderimit në BE ku ndodhet Shqipëria është më e drejtë që çështjet e integrimit t’i udhëheqë mazhoranca.
“Propozimi nga PS është ngritje në nivelin më të lartë të mundshëm të Komisionit për Çështjet Europiane. Në fazën ku ndodhet Shqipëria, ku kërkohet integrim në BE gjatë viteve në vijim, Komisioni për Integrimin duhet t’i takojë mazhorancës,” theksoi ai.
Balla kërkoi konsensus nga opozita për sa i përket ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit për të shtyrë më shpejt proceset e tjera të rëndësishme pas konstituimit të Parlamentit të ri.
“Pra, është domosdoshmëri që të kalojmë që nesër këtë etapë të parashikuar në mënyrë që brenda kësaj jave të përmbyllim gjithë proceset e tjera,” tha ai, duke iu referuar diskutimeve të tjera në seancën plenare që lidhen me votëbesimin e qeverisë dhe programit të saj për katër vitet e ardhshme.
Opozita ende nuk ka pranuar të dërgojë emrat për katër kryetarë komisionesh parlamentare që i takojnë sipas ndarjes së propozuar. Partia Socialiste raportohet se i ka përzgjedhur shtatë emrat e vet.
Propozimet për ristrukturimin e Parlamentit pritet të debatohen duke nisur nga e enjtja në një seancë maratonë, kur shumica politike pritet të paraqitë edhe programin qeverisës dhe më tej kërkesën për të votëbesuar kabinetin e ri “Rama 4”.
/rtsh.al/