Shkup, protestat e të rinjve kundër dhunës

Qindra protestues të rinj sot në Shkup vazhduan protestat kundër dhunës policore të organizuar para shtëpisë së Nënë Terezës, ndërsa protestuesit do të vijojnë protestën e tyre edhe para Parlamentit.
Protestat e të rinjve kundër policisë dhe dhunës së ushtruar nisën që pas vrasjes së 22 vjeçarit Martin Neskovski në Shkup, më 6 qershor.
Të rinjtë kërkojnë edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme dhe të zëdhënësit të policisë. Kërkesat e tilla sot do ti dorëzohen edhe Parlamentit, pas nisjes me punë të përbërjes së re parlamentare që doli nga zgjedhjet e 5 qershorit.
22- vjeçari Martin Neshkovski është rrahur deri në vdekje nga një pjesëtar i forcave speciale "Tigrat" në mbrëmje mes 5 dhe 6 qershorit në qendër të Shkupit. Të rinjtë po përdorin rrjetet sociale për tu organizuar në protestë kundër dhunës së policisë. Ata kanë kërkuar që të rishihen ligjet për policinë dhe të dalin përpara drejtësisë vrasësit e të riut.