Shoqatat e magjistratëve: Bllokimi i pagave cenon funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve shprehën sot shqetësimin për mosekzekutimin e pagave, pavarësisht vendimit detyrues të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimeve administrative të ndërmarra nga Këshili i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp ata theksojnë se pagat e magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë nuk mund të bllokohen.
“Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit, pagat e magjistratëve, ndonëse janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë në zbatim të vendimmarrjeve përkatëse, nuk po ekzekutohen. Pasojat e kësaj situate nuk kufizohen vetëm te magjistratët, por shtrihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin financiar dhe administrativ të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Përjashtimisht, nga të dhënat e administruara, rezulton se vetëm në zyrat e dy prokurorive në vend janë ekzekutuar pagat e magjistratëve, sipas listëpagesave të dërguara me përllogaritjen e re si më lart, ndërkohë që për pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë nuk është bërë ekzekutimi i tyre”, theksohet në deklaratë.
Sipas deklaratës, fakti që pagat janë ekzekutuar në dy zyra prokurorie, ndërkohë që vijojnë të jenë të bllokuara në pjesën tjetër të sistemit, ngre shqetësime serioze për ligjshmërinë e këtij mosekzekutimi.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zhbllokimin e pagave dhe garantimin e zbatimit efektiv të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat e magjistratëve e konsiderojnë të papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar, i detyrueshëm dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, si dhe për zbatimin e të cilit institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative, të mbetet pa efekt praktik dhe që magjistratët dhe funksionarët e tjerë të sistemit të drejtësisë të mbeten pa paga për shkak të pengesave të krijuara në hallkën e ekzekutimit financiar.
“Çdo vonesë apo pengim në ekzekutimin e pagesave të miratuara dhe të urdhëruara sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk përbën thjesht një çështje teknike apo procedurale të administrimit buxhetor. Në këtë rast, bëhet fjalë për një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi”, thuhet në deklaratë.
Shoqatat e magjistratëve theksojnë se “zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është gur themeli për një shtet të së drejtës”.
“Në mënyrë të veçantë, i kërkojmë Ministrit të Financave që, në ushtrim të përgjegjësive të tij institucionale, të marrë masa të menjëhershme për të garantuar që strukturat administrative në varësi të tij të veprojnë në përputhje me efektet detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos pengojnë zbatimin e tyre për shkak të procedurave të administrimit apo ekzekutimit buxhetor”, thuhet në deklaratë.
Shoqatat e magjistratëve bën të ditur se “bllokimi i pagave të punonjësve të administratës gjyqësore dhe të prokurorisë cenon drejtpërdrejt funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë”.
/k.s/r.e/