Shoqëria & Kultura | 26.05.2010

Shifra e saktë nuk dihet, por supozohet se në Maqedoni numri i personave të varur nga droga është rreth 20 mijë vetë, gjysma e të cilëve jeton në Shkup. Një pjesë e konsiderueshme e personave të varur nga droga në mënyrë vullnetare kanë filluar shërimin përmes terapisë së metadonit. Kjo terapi jepet nën kontrollin e mjekëve në qendrat për rehabilitim nga përdorimi i drogave. Problemi kryesor në Maqedoni me shërimin e personave që konsumojnë drogë ka të bëjë me numrin e vogël të qendrave rehabilituese. Në Shkup ka funksionuar vetëm një qendër, ndërsa para pak kohësh janë hapur edhe dy qendra të tjera.
Me terapinë e metadonit pacientët jetojnë jetë normale
Në qendrën rehabilituese të Kisella Vodës janë të regjistruar rreth 450 pacientë që çdo ditë i nënshtrohen terapisë së metadonit. Terapia është individuale për çdo pacient dhe varësisht se çfarë droge është konsumuar, pacientit i jepet terapi ditore e metadonit, thotë Aneta Spasovska -Trajanovska, psikiatre në qendrën rehabilituese të Kisella Vodës. Qëllimi i dhënies së terapisë së metadonit është që personi të jetë në gjendje të stabilizuar duke i mundësuar atij të jetojë jetë normale në shoqëri, thotë Aneta Spasovska-Trajanovska.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Pamje nga Shkupi "Shpesh herë kemi situata kur ata heqin dorë nga kjo terapi, mirëpo gjëja më e mirë është se ata pacientë janë të evidentuar në spitalin tonë dhe nuk lihen në mëshirën e rrugës", thotë Trajanovska. Në qendrën rehabilituese ka filluar të aplikohet edhe mënyra e re e shërimit e quajtur Drag Free. Kjo metodë është treguar e suksesshme meqë pacientët pa përdorimin e metadonit kanë hequr dorë nga përdorimi i drogave.
Roli i familjes në heqjen dorë nga droga
Gjatë shërimit të pacientëve rol të rëndësishëm luan edhe përkrahja familjare. Komunikimi me më të afërmit jep rezultate domethënëse. Sipas psikologes Aneta Spasovska -Trajanovska, ka raste pacientësh pa përkrahje të familijarëve, të lënë në mëshirën e fatit. Pikërisht tek këta persona është vështirë të arrihet shërimi nga përdorimi i drogave.
Mungesa e Qendrave për rehabilitim edhe në qytete të tjera të Maqedonisë pengon punën e sukseshme me pacientët. Shpesh herë, personat që kërkojnë shërim janë në listat e pritjes sepse nuk arrijmë që t'i japim terapinë e metadonit, thotë mjekja. Aneta Spasovska-Trajanovska: Ekzistenca e qendrave ditore rehabilituese në çdo komunë do të mundësonte dhënien e shërbimeve më cilësore pacientëve, ndërsa mjekët do të mund në mënyrë më efikase të përcjellin gjendjen e pacientëve.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Lindita Arapi