Shoqëria Civile reagon ashpër ndaj planit rregullues të Tiranës: Kriminal
Tiranë- Pak ditë pasi plani i ri rregullues i Tiranës u miratua nga Këshilli Bashkiak vetëm me votat e këshilltarëve të mazhorancës qeverisëse, përfaqësues të shoqërisë civile reagojnë ashpër duke e cilësuar atë, një plan kriminal.
Arkitekti Artan Shkreli kërkon angazhimin e një institucioni ndërkombëtar për oponencën, çka sipas tij është detyrim ligjor përpara se plani të nisë zbatimin.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari këtë dhe duhet ta bëjë një institucion i specializuar jo njerëz pranë qeverisë pasi në kushtet kur në Shqipëri nuk ka më Institut të Urbanistikës sepse qeveria e Berishës e shkriu atë, duhet të thuhet fjala e ekspertëve për këtë plan i cili e lë Tiranën pa hapësira të gjelbërta dhe me intensitet të paperceptueshëm ndërtimesh”-thekson arkitekti Shkreli.
Ai ndalet më tej te një tjetër problem që është humbja edhe e atyre pak gjurmëve kulturore që i kanë mbetur Tiranës në këto 20 vite kur shumëçka është zhbërë.
Dy aktivistë të tjerë të shoqërisë civile Kozara Kati dhe Lavdosh Feruni në këtë dalje publike për të kontestuar me argumenta planin e ri rregullues të kryeqytetit, flasi për pasoja të rënda sociale. Sipas tyre, ky plan parashikon që në Tiranë të jetojë gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë, çka sjell një krizë të madhe sociale.
“Tiranë do të kthehet në një geto nëse ky plan do të zbatohet”-thekson Kozara Kati. Ndërsa Z.Feruni thotë se “është e pa precedentë që ky plan pretendohet të zbatohet në kryeqytetin tonë në një kohë kur modelet e përdëendrimit të popullsisë në kryeqytete, janë të shkuara kohe dhe kanë rezultuar negative”. Aktivisti Feruni tha se ky plan është çrregullues dhe jo rregullues.
Plani i ri urbanistik i Tiranës, pasi u miratua në Këshill Bashkiak, zyrtarisht hyn në fuqi pasi të miratohet në Këshillin e Rregullimit të Teritorit të republikës por ndërkaq, aktivistë të shoqërisë civile kanë lajmëruar se ata nuk do ndalen së kundërshtuari këtë plan që e cilësojnë veçse kriminal.
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: