Shoqërohet kandidati i PD në Fier, Policia: Kundërshtoi efektivët që po hiqnin posterin në shkelje të ligjit. Bardhi: Akt i paprecedentë

Kandidati i PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier mbrëmjen e kësaj të diele (4 maj). Përmes një njoftimi për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë Fier bën me dije se Semanjaku ka kundërshtuar forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e një posteri që ai kishte vendosur në qendër të qytetit. Sipas Policisë, posteri i vendosur ishte në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, Policia sqaron se Semanjaku u shoqërua për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe më pas u la i lirë.
“Në lidhje me një lajm të publikuar për shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. S. (Kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), sqarojmë se: Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri. Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kanditatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ana tjetër, drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi e ka konsideruar shoqërimin e Semanjakut si “akt të paprecdentë”. Sipas tij, shoqërimi i Semanjaku është bërë me urdhër poltik, teksa akuzon Policinë se po tenton të intimidojë kandidatët e opozitës, në një kohë kur vendi është vetëm 1 javë para zgjedhjeve parlamentare.
“Dënojmë me forcë shoqërimin me dhunë nga Policia e Shtetit të kandidatit për deputet të PD-ASHM, Fatjon Semanjaku. ky akt i paprecedentë i Policisë së Shtetit është qartazi një pengim i kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore për të zhvilluar të qetë fushatën në mënyrën e tyre. Kandidati Semanjaku është penguar fillimisht nga banditë me uniformë që të ushtrojë veprimtarinë elektorale përmes stendave që janë forma më demokratike me qytetarët, më pas, përmes një urdhri të paligjshëm nga Policia e Shtetit është urdhëruar shoqërimi me dhunë në komisariat, duke synuar intimidimi e tij.
Ky akt përbën një tejkalim të pashembullt mes shtetit dhe partisë. Ka vetëm një qëllim të intimidojë kandidatët e opozitës në javën e fundit vendimtare të zgjedhjeve të 11 majit. Kanë si qëllim të intimidojnë dhe frikësojë qytetarët e Fierit që të votojnë të lirë. Dua t’i jap një paralajmërim drejtuesve të Policisë në qarkun e Fierit: në mënyrë të përsëritur keni provokuar kandidatët për deputetë të opozitës në qarkun e Fierit. Ne kemi të dhëna që jeni përfshirë direkt ën fushatë për llogari të një të korruptuare si Belinda Balluku, prandaj ky është momenti të ndërprisni çdo veprim të paligjshëm dhe të zbatoni vetëm detyrën tuaj sipas ligjit“, tha Bardhi.
/rtsh.al/