E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzimet në fushatë, KQZ kontrollon raportet

TIRANË- Subjektet politike, pjsëmarrëse në zgjedhjet parlamentare kanë pranuar të zbardhin fondet e përfituara dhe të shpenzuara gjatë fushatës. Jashtë afatit kohor, që kishte caktuar KQZ-ja, ekspertët e kontraktuar për të bërë auditimin e financave të partive, kanë mundur që të sjellin të gjitha raportet e hartuara për 34 partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar dje, edhe depozitimin e tetë raporteve të fundit, që nuk ishin paraqitur në kohë nga ekspertët, duke i hapur rrugë tani procesit të verifikimit dhe miratimit të tyre. Me paraqitjen e raporteve në protokoll, ato do t'i nënshtrohen verifikimit nga drejtoria e financës dhe ajo juridike, njëra për të bërë përllogaritjet monetare dhe tjetra për të parë ligjshmërinë dhe përmbushjen e raportit sipas rregullave, që përcakton Kodi Zgjedhor. Më pas, raportet sëbashku me relacionet përkatëse të hartuara nga këto dy drejtori, do të kalojnë për shqyrtim në mbledhjen e KQZ-së, e cila ka për detyrë miratimin ose rrëzimin e tyre. Megjithatë, deri më tani KQZ-ja nuk ka pranuar të bëjë publike asnjë të dhënë për përmbajtjen e raporteve, pavarësisht se qëllimi i gjithë këtij procesi është bërja e transparencës për publikun. Për kontrollin dhe verifikimin e fondeve të përdorura nga partitë gjatë fushatës KQZ-ja ngarkoi 26 ekspertë auditi, ku disa prej tyre do të verifikonin financimet e dy partive. Kështu, financimet dhe shpenzimet e Partisë Demokratike për fushatë i ka kryer studioja "ALB BB Auditing SH.P.K", ndërsa ato të Partisë Socialiste Mihal Ziu, ekspert kontabël anëtar i forumeve drejtuese të IEKA-s.
Çdo subjekt zgjedhor, në bazë të Kodit Zgjedhor, ka pasur mundësi, që për qëllime të fushatës së tyre të marrë fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas (partitë parlamentare kanë përfituar një shumë të konsiderueshme lekësh edhe nga buxheti i shtetit). Në çdo rast shuma që një person fizik ose juridik ka pasur mundësi t'i ofrojë një subjekti zgjedhor nuk mund të ketë qenë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime, ndërsa ka qenë e ndaluar dhënia e fondeve nga personat, që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, që kanë ushtruar veprimtari në fushën e medies, apo ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme. Kodi Zgjedhor përcakton në këtë drejtim se një subjekt zgjedhor nuk mund të shpenzojë më shumë se 10-fishin e fondit të përfituar nga Buxheti i Shteti.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›