E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpërblim për policët e plagosur”, Lamallari: Banesa falas për familjet e efektivëve të rënë në detyrë

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi miratimin e shpërblimit financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur në detyrë, si edhe dhënien e banesave falas për familjet e efektivëve të rënë në krye të detyrës. Sipas ministrit, këto masa synojnë të rrisin mbështetjen financiare dhe sociale për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe familjet e tyre.

“Ky vendim trajton në mënyrë të plotë të gjitha format e mbështetjes për familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë sakrifikuar jetën në krye të detyrës dhe për efektivët që plagosen gjatë shërbimit. Është një detyrim moral dhe institucional ndaj atyre që shërbejnë çdo ditë për sigurinë e qytetarëve,” u shpreh ministri.

Sipas tij, paketa përfshin ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore bruto për familjet e policëve të rënë në detyrë, pension suplementar familjar, bursa të plota studimi për fëmijët në arsimin parauniversitar dhe të lartë, si edhe punësim me prioritet për familjarët. Një nga risitë më të rëndësishme të vendimit, sipas Lamallarit, është garantimi i strehimit për familjet e policëve të rënë në detyrë.

“Bashkëshortët dhe fëmijët e mitur të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën gjatë detyrës do të përfitojnë banesa falas, përmes Entit Kombëtar të Banesave, projekteve të Korporatës së Investimeve Shqiptare, por edhe nga pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar që administrohen nga AAPSK. Është mënyra më e mirë për t’i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të qytetarëve dhe familjeve që kanë bërë sakrificën më të madhe për shtetin,” deklaroi ai.

Gjatë komunikimit për mediat, ministri bëri të ditur se do të ratifikohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, me qëllim kryerjen e procedurave të përbashkëta dhe lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve dhe automjeteve.

“Pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen në mënyrë të përbashkët të procedurave synojnë turizëm më cilësor dhe ekonomi më të fortë. Do të shfrytëzojmë periudhën e testimit për të lehtësuar në praktikë kalimin e qytetarëve dhe mallrave.“, tha ministri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi protestën e paralajmëruar përpara Kuvendit dhe reagimin e Policisë së Shtetit, Lamallari theksoi se institucioni do të vijojë të garantojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, duke zbatuar ligjin dhe duke reaguar ndaj çdo akti dhune.

“Sjellja e Policisë së Shtetit gjatë protestave ka qenë shembullore. Me gjithë provokimet dhe aktet e dhunës ndaj efektivëve, policia ka treguar maturi, vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm. Detyra jonë është të garantojmë të drejtën për protestë paqësore, por njëkohësisht të procedojmë çdo person që shkel ligjin apo ushtron dhunë,” deklaroi ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›