Shpërndanin drogë në plazhet e Himarës, arrestohen 3 persona, sekuestrohen 91 doza kokainë dhe kanabis

Tre persona janë arrestuar në Himarë, pasi dyshohet se shpërndanin doza kokaine dhe kanabisi në plazhet e Livadhit dhe Llamanit, si edhe në zona të tjera bregdetare. Gjatë operacionit policor u sekuestruan 91 doza lëndësh narkotike, një peshore elektronike, një automjet dhe një telefon celular.
Sipas Policisë, dy prej të arrestuarve kishin marrë banesa me qira në Himarë për të ushtruar aktivitetin kriminal gjatë sezonit turistik. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike.
Në fazën e parë të operacionit, të koduar “Area 01”, u arrestuan në flagrancë V. K., 17 vjeç, banues në Himarë, dhe D. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën ku qëndronte përkohësisht 40-vjeçari në fshatin Llaman, policia gjeti dhe sekuestroi 60 doza të dyshuara kokainë dhe cannabis sativa, të përgatitura për shitje në plazhet e Livadhit, Llamanit dhe në beach bar-et e zonës.
Në fazën e dytë, “Area 02”, u arrestua edhe R. L., 24 vjeç. Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës ku ai qëndronte përkohësisht në Himarë, u gjetën 31 doza cannabis sativa të gatshme për shitje, si dhe një peshore elektronike që dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike.
Policia bën me dije se kontrollet në zonat turistike do të vijojnë gjatë gjithë sezonit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/