E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndanin kokainë në Laç, në pranga dy të rinj, iu sekuestruan 80 doza gati për shitje

Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohet se merreshin me shpërndarjen e kokainës në doza. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit G. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë, dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Policia bën me dije se dy të rinjtë u lokalizuan dhe u ndaluan në lagjen nr. 6, në Laç. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, u gjet dhe u sekuestrua një sasi kokaine e ndarë në 80 doza, të gatshme për shitje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit siguronin lëndën narkotike dhe më pas e ndanin në doza, me qëllim shpërndarjen e saj në qytetin e Laçit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, një automjet dhe katër aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›