Shpërthen gazsjellësi lituanez, dyshohet dhe për sabotim

Një shpërthim i madh ka shkatërruar një tubacion gazi në rajonin Pasvalys të Lituanisë veriore, pranë kufirit me Letoninë. Imazhet e transmetuara nga mediat lokale treguan flakët që ndriçonin qiellin e natës. Zyrtarët thonë se nuk ka pasur lëndime si pasojë e këtij shpërthimi.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë Artis Pabriks shkroi në Tëitter se shkaku i incidentit do të hetohet, duke shtuar se “sabotimi nuk mund të përjashtohet”.
Nga ana tjetër, operatori i tubacionit tha se nuk besonte se shpërthimi ishte sabotim.
“Sipas vlerësimit fillestar, ne nuk shohim ndonjë shkak të qëllimshëm, por hetimi do të mbulojë të gjitha opsionet e mundshme,”- u tha gazetarëve shefi ekzekutiv i Amber Grid, Nemunas Biknius.
“Ne nuk shohim shenja të ndonjë ndikimi të mundshëm nga jashtë.” Biknius tha se tubacioni – i cili u ndërtua në vitin 1978, i është nënshtruar disa herë mirëmbajtjes.
“Të gjitha shkaqet do të hetohen dhe sqarohen në ditët në vijim,” tha zoti Biknius. Ai shtoi se furnizimi me gaz në tubacion ishte ndërprerë dhe se pret që zjarri të shuhet në orët në vijim.
Amber Grid shtoi se shpërthimi kishte ndodhur “larg nga çdo ndërtesë banimi”. Tubacioni përbëhet nga dy sisteme paralele dhe se shpërthimi ndodhi në njërin prej tyre, tjetri është i padëmtuar.
Kryetari i qarkut Pasvalys, Gintautas Geguzinskas, tha për LRT se nuk kishte ndonjë informacion konkret për shkakun e shpërthimit, por tha se banorët vendas i kishin thënë atij “ata panë disa punime po bëheshin pranë tubacionit ku ndodhi shpërthimi”.
Në pamjet e siguruara nga gazeta e lajmeve LRT, flakët mund të shihen në lartësinë rreth 50 metra në ajër. Shpërthimi thuhet gjithashtu se ishte i dukshëm deri në 17 km larg.
Agjencia e lajmeve BNS raportoi se zyrtarët kishin vendosur të evakuonin fshatin e afër Valakelie. Qyteti ka një popullsi prej rreth 700 banorë.
Zjarrfikësit kanë shuar flakët rreth orës 21:00 me orën lokale. Por Povilas Balciunas, kreu i administratës publike në qytetin e afërt të Pasvalys, i tha agjencisë Reuters se flakët ndejtën ndezur për gati katër orë që nga momenti i shpërthimit fillestar.
Tubacioni përdoret nga Amber Grid – kompania kombëtare e gazit të Lituanisë – për të transferuar gaz në veri të vendit, si dhe për të furnizuar Letoninë fqinje. Konsumatorët në zonë po furnizohen nga një tubacion alternativ. BBC
/rtsh.al/