Shpërthen kabina elektrike, familjet pa ujë e drita, dëme në disa apartamente

Mesditën e se dielës ka ndodhur një shpërthim në kabinën elektrike të pallatit, pas një ndërhyrjeje që është kryer nga persona të paautorizuar ose jo kompetentë për të ndërhyrë në këtë ambient. Banorja pretendon se incidenti ka shkaktuar përhapjen e flakëve dhe tymit në të gjithë pallatin, duke krijuar panik te banorët, mes tyre edhe fëmijë.
“Momentet e tmerrit kanë qenë prezente duke qenë se në pallat ka pasur edhe fëmijë”, shprehet banorja. Po ashtu banorja thekson se ka pasur dëme të konsiderueshme në dy katet e para, si dhe në katin e 5, ndërsa nuk dihen realisht dëmet që mund të jenë shkaktuar në sistemin elektrike për çdo apartament, pas shpërthimit.Ajo pretendon gjithashtu se shërbimi zjarrfikës ka mbërritur rreth 25 minuta pas njoftimit dhe se, sipas saj, evakuimi i banorëve është vështirësuar për shkak të mungesës së shkallëve.
Banorja ngre shqetësime edhe për situatën e objektit, duke deklaruar se pallati, i ndërtuar nga firma “Alesio”, është i banuar prej rreth 2 vitesh e gjysmë, ndërsa sipas saj ende nuk ka përfunduar procesi i kolaudimit dhe hipotekimit. Ajo thotë se kompania ua ka atribuar vonesat procedurave në Bashkinë e Tiranës, pretendim që banorja thotë se nuk e beson.
Pas incidentit, sipas denoncimit, kompania ka marrë përsipër rikonstruksionin e dëmeve pasi të marrë raportin e OSHEE-së, ndërsa deri më tani rezulton se asnjë punonjës i Operatorit të Shërbimit të Energjisë Elektrike nuk është paraqitur në pallat.