E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen kanalizimi në kryeqytet, reagohet pas pesë orësh

Pesë orë pasi që kanë shpërthyer ujërat e zeza nga një pusetë në rrugën “Rexhep Mala” ka reaguar një ekip i ujësjellësit rajonal “Prishtina”.

Përpjekjet e banorëve për të kontaktuar nëpërmjet telefonit dikë nga kjo kompani kanë dështuar.

”Prej orës tetë e gjysmë kam dalë këtu dhe kam nxjerrë nga puseta 3 qese mbeturina, është diku tri metra thellësi dhe nuk më takon mua të hyj deri në fund e të shoh ku qëndron problemi”, ka thënë Halit Hamiti, banor i asaj rruge, duke theksuar se për orë të tëra ai ka provuar që të kontaktojë përmes telefonit edhe me zyrtarë të ujësjellësit, mirëpo askush nuk është përgjigjur.

”Që 4 orë kam provuar të kontaktoj me dikë nga ujësjellësi, dhe pse është e diel dikush duhet të kujdestarojë aty, sepse nuk është e thënë që të dielën nuk mund të ndodhë ndonjë prishje”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ky problem është i vjetër dhe për të banorët vitin e kaluar kanë nënshkruar një peticion, raporton Koha.

”Me i kry pagesat rregullisht dhe rregullisht me na përcjellë këto probleme, vërtet nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë ai.

Ndërkaq edhe një tjetër banore ka deklaruar se faji qëndron te papërgjegjësia e kompanisë së ujësjellësit.

”Ka qenë e pamundur me e vazhdu gjumin kur në orën tetë në mëngjes e kam dëgju nga dhoma që po derdhej një sasi shumë e madhe e ujit, njëherë më shkoi mendja se mund të jetë shiu, mirëpo kur dola jashtë e pashë që uji po vinte nga puseta”, ka thënë Feime Ibishi, banore.

E nga ana tjetër, Ilir Abdullahu, drejtor teknik në kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, fillimisht nuk ka qenë në dijeni për rastin, mirëpo pasi që është njoftuar nga gazeta ka thënë se ka dalë në terren.

”Jam në vendin e ngjarjes tani dhe e pashë se bëhet fjalë për shpërthimin e një kanalizimi të ujërave të zeza dhe atmosferike, kanalizimi është bllokuar nga një sasi e madhe e materialeve dhe tash po e thërras cisternën me ardhë me e rregullu”, ka thënë ai, duke pranuar se problemi po përsëritet.

”Kjo është problem që ka ardhë si pasojë e reshjeve dhe po përsëritet, sepse njerëzit po i lidhin kolektorët bashkë”, ka thënë Abdullahu duke mohuar që të ketë pasur thirrje nga banorët, sepse ata do të reagonin më herët./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›