Shpërthim në fabrikën e eksplozivit, 12 persona humbin jetën në Turqi. Ngjarja dyshohet aksidentale

Të paktën 12 persona humbën jetën, ndërsa 3 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit në një fabrikë ku prodhohen eksplozivë në provincën Balıkesir të Turqisë.
Shpërthimi ndodhi në pjesën e prodhimit të kapsulave të fabrikës së municionit, për arsye ende të panjohura. Megjithatë, mediat turke raportojnë se provat e deritanishme tregojnë se shpërthimi ishte aksidental.
Në vendngjarje shkuan shumë autoambulanca për t’u ardhur në ndihmë personave të plagosur.
Këtë e konfirmoi edhe Guvernatori i Balıkesirit, İsmail Ustaoğlu:
“Si pasojë e shpërthimit, sipas vlerësimeve të para, 12 punonjës kanë humbur jetën, ndërsa 3 punonjës të tjerë të plagosur janë dërguar në spital. Tani, me të gjithë ekipin, jemi në vendngjarje. Nuk ka asnjë mundësi sabotimi apo rrezik për një shpërthim tjetër,” tha Guvernatori i Balıkesirit, İsmail Ustaoğlu.
Si pasojë e shpërthimit, edhe ndërtesat përreth kanë pësuar dëme të vogla materiale.