E Martë, 3 Nëntor 2026

Shpërthimi në Lushnjë, Këshilli Bashkiak miraton ndihmën financiare për familjen e viktimave

Ndërsa prokuroria Fier vijon hetimet në tre pista për shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë të së premtes në Lushnje, këtë të hënë është mbledhur jashtë radhe Këshilli Bashkiak i këtij qyteti i cili ka diskutuar për ngjarjen, dëmet nga shpërthimi si dhe miratoi ndihmën prej 500 mijë lekësh për familjen e 2 viktimave, Roland dhe Elidon Hoxha (babë e bir), 51 dhe 23 vjeç. 

“Bashkia Lushnjë, për t’i lehtësuar pak dhembjen, ka ardhur me një propozim për ju sot që të kemi mundësinë të mbulojmë shpenzimet funerale për të dy personat duke u nisur edhe nga gjendja ekonomike e familjes,” deklaroi kryebashkiakja e Lezhës, Eriselda Sefa.

Shpërthimi shkaktoi 7 të plagosur, mes të cilëve edhe deputeti Bujar Çela, si dhe dëmtoi biznese e banesa në zonën pranë magazinës ku po kryheshin punimet, që sipas raportimeve është në pronësi të ligjvënësit socialist.

Z. Çela, Samir Korreshi si dhe 41-vjeçari Sokol Lumi, i cili ka dëmtime në kokë vijojnë të marrin trajtim në spitalin e traumës në Tiranë, ndërsa të tjerët kanë lënë spitalin.

“Ne kërkojmë që të zbardhet e gjithë dinamika e ngjarjes, të gjendet shkaku kryesor dhe të zbardhet çdo detaj që gjithë opinioni publik të jetë i qartë,” tha demokrati Klement Çela nga grupi i Rithemelimit.

Nga raportimet mësohet se tre pistat ku po hetohet janë: shkatërrimi i pronës, shkelje të rregullave të mbrojtjes në punës, si edhe shkelja e lejes subjektit për të kryer ndërtime në atë zonë.

Deri tani janë marrë në pyetje të dëmtuarit të cilët u shtruan në spitalin e Lushnjës, ndërsa deputeti Cela, Korreshi dhe Lumi nuk janë pyetur ende për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të rënduar. Prokurorja e çështjes është Anila Gaxhari.

Të dielën një grup nga emergjencat civile të bashkisë Lushnjë kanë berë verifikimin e dëmeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›