Shpërthimi në Mitrovicë, një i vrarë

Mitrovicë, 2 Korrik 2010 Update - Një person ka ndërruar jetë dhe 11 janë plagosur nga shpërthimi në veri të Mitrovicës, në kohën kur rreth një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve. I vdekuri është mjeku Mesud Gjekoviq, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë rajonale në Mitrovicë, Ergin Mediq: Sot, në 9 e 45, në veri të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm në rrugën Luja Braja. Si pasojë e shpërthimit, 12 persona kanë marrë lëndime trupore dhe fatkeqësisht njëri nga ata 12 persona ka ndërruar jetë. Të tjerët janë dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës".
"Situata e sigurisë në Mitrovicë është stabile dhe nën kontrollin e
Policisë së Kosovës dhe njësive speciale të EULEX-it. Domethënë, aktualisht
është qetë dhe nuk ka kurrfarë incidenti. Hetimet në lidhje me këtë janë duke
vazhduar, tha Ergin Mediq, i cituar nga radio Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës, Milan Jakovljeviq, tha
se 11 të lënduarit tjerë janë jashtë rrezikut për jetë.
Njëmbëdhjete janë të lënduar lehtë, ndërsa fatkeqësisht një mjek Mesud
Xhekoviq, ka pasur lëndime të rënda trupore, lëndime në kraharor, në zemër,
mushkëri dhe dy orë pas plagosjes, ai ka ndërruar jetë. Të tjerët janë në
gjendje stabile, tha Jakovljeviq.
Aktualisht, situata thuhet se është e qetë. Policia po zhvillon hetimet në
lidhje me shpërthimin dhe të shtënat me armë zjarri, që ndodhën rreth orës
10:00.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i tha
Radios Evropa e Lirë se përveç shpërthimit gjatë kohës sa serbët po
protestonin, janë regjistruar edhe të shtëna me armë zjarri.
Në orën 10, në kohën kur është mbajtur kjo protesë, policia ka regjistruar së
paku një shpërthim dhe të shtëna me armë zjarri, tha Hoti.
Zëdhënësi Hoti shpjegoi se hetimet po zhvillohen nga Policia e Kosovës dhe ajo
e EULEX-it. Ai tha se ende nuk janë sqaruar as rrethanat se si ka ndodhur
shpërthimi.
Absolutisht, deri në këto momente, nuk kemi informacione për ndonjë kryes të
mundshëm të këtij akti, apo për përkatësinë etnike të personave të
lënduar, tha Hoti.
Shpërthimi i sotëm pasoi protestën e më se një mijë serbëve, që
u tubuan që në orën 8 e 30 të mëngjesit, për të kundërshtuar hapjen e Zyrës së
Regjistrimit Civil nga ana e Qeverisë së Kosovës, në lagjen e përzier
etnikishit - Lagjen e Boshnjakëve.
Policia tha se protestuesit kanë synuar që të parakalojnë afër zyrës, por një
gjë e tillë është ndaluar nga komponenti policor i EULEX-it.
Gjysmë ore pas shpërthimit, rreth orës 10 e 30, sipas policisë, protestuesit
janë shpërndarë dhe tashmë rruga është liruar për qarkullim. Policia raporton
për qetësim të situatës.