E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në karburantin pranë Brrylit, shefi i zjarrfikëses: Ndodhi në ambientet e zyrave, ja shkaku paraprak

Shpërthimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti pranë zonës së Brrylit në Tiranë dyshohet se ka ndodhur në ambientet e zyrave të karburantit. Shefi i repartit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, bëri me dije se nga shpërthimi janë dëmtuar ambientet e zyrave, ndërsa më pas ka vijuar edhe rrjedhja e gazit, duke shkaktuar flakë. “Po ta shikoni, dyshojmë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit. Pjesa përpara është dëmtuar nga shpërthimi dhe materialet janë shpërndarë në rrugë”, deklaroi Goxhaj për mediat.

Ai shpjegoi se pas marrjes së njoftimit, salla operative vuri në lëvizje dy stacionet më të afërta me pikën e karburantit, atë të Kinostudios dhe QS-së, të cilat mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash. “Salla jonë operative ka vënë në lëvizje dy stacionet e para afër pikës së karburantit, stacionin e Kinostudios dhe QS-së, të cilët në pak minuta kanë arritur në vendngjarje dhe kanë konstatuar që pika e karburantit, ambientet e zyrave, janë rrëzuar në tokë. Ka pasur dhe flakë. Kjo ka ndodhur si pasojë e shpërthimit”, tha shefi i zjarrfikëses.

Sipas Goxhajt, flakët kanë vijuar për shkak të rrjedhjes së gazit, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është përqendruar fillimisht në ndërprerjen e furnizimit me gaz. “Zjarrfikësit kanë ndaluar rrjedhjen e gazit, pasi flaka vazhdonte nga rrjedhja e gazit. Kanë mbyllur rubinetin e gazit dhe në pak minuta është bërë e mundur izolimi i flakëve. Pas kësaj situata u vu nën kontroll”, u shpreh ai.

Shefi i repartit zjarrfikës sqaroi se flakët nuk kanë qenë të përmasave të mëdha, duke theksuar se ngjarja duhet konsideruar si një shpërthim dhe jo si një zjarr i përmasave të mëdha. “Masa e flakëve nuk ka qenë shumë e madhe. Ka qenë shpërthim, nga rrjedhja ka vazhduar flaka”, deklaroi Goxhaj.

Për sa i përket shkakut, ende nuk ka një konkluzion përfundimtar, ndërsa dyshimet paraprake janë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga gazi ose avujt e benzinës. “Shkaku paraprak dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga gazi, apo avuj të benzinës. Ky është një shpërthim, jo zjarr”, theksoi Shkëlqim Goxhaj.

Nga ngjarja janë dëmtuar tre punëtorë të pikës së karburantit, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë, Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë rrethuar zonën, ndërsa ekspertiza pritet të përcaktojë shkakun e saktë të shpërthimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›