E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në pikën e karburantit te “Brryli”, 4 persona shoqërohen në Polici! Mes tyre administratori, menaxheri, punonjësit dhe shoferi i makinës

Teksa po vijojnë hetimet aktive, 4 persona janë shoqëruar nga policia lidhur me shpërthimin e ndodhur në një pikë karburanti EIDA në zonën e Brrylit në Tiranë.

Mes të shoqëruarve për t’u marrë në pyetje janë administratori i subjektit, menaxheri, punonjës të shërbimit, shoferi i makinës nga nisi shpërthimi, si dhe dëshmitarë pamorë që ndodheshin pranë vendngjarjes në momentin e shpërthimit.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes pritet të zgjerohen te personat përgjegjës për sigurinë dhe mirëmbajtjen e impiantit.

Në orët në vijim, në polici pritet të shoqërohen për pyetje edhe inxhinieri dhe drejtuesi teknik i pikës së karburantit, dëshmitë e të cilëve do të shërbejnë për të verifikuar nëse janë respektuar normat teknike dhe protokollet e sigurisë.

Shoqërimet janë kryer në kuadër të hetimit për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për ngjarjen, e cila shkaktoi plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që një automjet po furnizohej me karburant, ndërsa në ambientet e pikës kishte pasur rrjedhje gazi.

Tre punonjësit e karburantit të dëmtuar nga ngjarja janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës dhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›