E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtohen tre persona nga lumi Devoll në Gramsh

Një ngjarje me rrezik të lartë për jetën është regjistruar mëngjesin e së premtes në lumin Devoll, pranë digës së Moglicës, ku tre persona mbetën të bllokuar pasi prurjet e ujit u rritën menjëherë pas hapjes së portës së digës.

Sipas informacionit, në repartin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gramsh mbërriti një njoftim emergjent për tre persona që ndodheshin në rrezik, teksa po kalonin lumin Devoll me një mjet bujqësor tip “Zetor”.

Menjëherë drejt vendngjarjes u nis ekipi i gatishmërisë, nën drejtimin e komandantit të repartit, Ilir Llapushi. Në momentin e mbërritjes, zjarrfikësit konstatuan se rritja e menjëhershme e nivelit të ujit dhe dallgët e fuqishme kishin mbuluar pjesërisht mjetin, duke e bërë të pamundur lëvizjen e tij dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e tre personave.

Në një prononcim telefonik për gazetarin Shkëlzen Hënkoja, komandanti i repartit të zjarrfikësve, Ilir Llapushi, u shpreh se operacioni ishte ndër më të vështirët.

“Prurjet e ujit ishin shumë të mëdha dhe të shpejta. Ndërhymë me dy automjete të zjarrfikëses dhe, me anë të litarëve, arritëm të futeshim për të nxjerrë tre personat. Ishte vendimtare që mbërritëm shpejt në vendngjarje, por edhe fakti që personat na dërguan një lokacion të saktë. Kjo na ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Ishte një luftë e vërtetë me rrjedhën e ujit, pasi dallga ishte e fuqishme dhe uji shumë i turbullt nga rëra që transportonte. Për rreth 30 minuta zhvilluam operacionin e shpëtimit dhe, pasi nxorëm personat në siguri, bëmë të mundur lidhjen e një kavojë me mjetin ‘Zetor’, duke e tërhequr pranë kamionëve të zjarrfikëses deri sa niveli i ujit ra”, u shpreh Llapushi.

Komandanti falënderoi ekipin e gatishmërisë për profesionalizmin e treguar, si edhe personat që kërkuan ndihmë, të cilët dërguan koordinatat e sakta të vendndodhjes.

Ai apeloi për kujdes maksimal pranë lumenjve dhe zonave ku mund të ketë rritje të menjëhershme të prurjeve të ujit, duke theksuar se dërgimi i një lokacioni të saktë në raste emergjente mund të jetë vendimtar për shpëtimin e jetëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›