E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa e Romney, meshkujt e bardhë

Gazeta Shqip

Kandidati republikan për president lufton votë për votë për zgjedhjet e 6 nëntorit

Gara mes Mitt Romney-t dhe Barack Obama-s për presidentin e ardhshëm është ngushtuar ndjeshëm, por është një grup shoqëror për të cilin Romney ka më shumë nevojë: këta janë meshkujt e bardhë. Për Romney-n, mbështetja e këtij grupimi ofron rrugën më të sigurt drejt presidencës, megjithëse mbështetja me premtime te ky grupim po rezulton gjithnjë e më e rrezikshme për republikanët.

Mbështetja e tij te ky grup votuesish është bërë më akute ndërsa sondazhet tregojnë se ai është prapa në votat e afro-amerikanëve, shumë prapa për votat e hispanikëve dhe në dizavantazh për votat e grave. Rreth 90 për qind e votuesve republikanë në vitin 2008 qenë të bardhë, ndërsa gratë e bardha kanë tendencën të ndahen në mënyrë më pak të diferencuar. Por mbështetja kryesore nga të bardhit po gërryhet dalëngadalë. Përgjatë dekadave të fundit, zgjedhjet kanë treguar më pak mbështetje nga të bardhët për republikanët. Kjo e detyron Romney-n të kërkojë një pjesë më të madhe mes këtyre votuesve. Për të shtuar problemet për Romney-n, votuesit meshkuj të bardhë rezultojnë më shumë konservatorë nëpër sondazhe. Kjo gjë e vë atë mes zjarrit për të kapur më shumë vota mes votuesve tradicionalë dhe zjarrit për të tentuar të zgjerojë bazën e votuesve drejt minorancave. Demografët thonë se gjithsesi, nëse nuk përmirëson rezultatin mes meshkujve të bardhë, Romney rrezikon fatin e McCain, i cili konkurroi pa sukses për president herën e kaluar. Sondazhi i fundit tregon se votuesit meshkuj të bardhë mbështesin Romney-n me 55.5 për qind të votave kundrejt 31.9 për qind që mbështesin Obama-n.

Romney e nisi shumë keq fushatën e tij elektorale dhe qe në dizavantazh të dukshëm ndaj Obama-s. Por pas gabimeve të para ka arritur të korrigjojë veten dhe të shfrytëzojë dobësitë e presidentit aktual, i cili po vuan nga papunësia e lartë në vend dhe gjendja e vështirë ekonomike. Në përgjithësi, presidentët në SHBA arrijnë të rizgjidhen, por në rastet kur ekonomia është e dobët, ata e kanë pasur të vështirë të mbijetojnë.

Obama është duke u përgatitur të përballet edhe dy herë të tjera në debate të drejtpërdrejta televizive me Romney-n, ku shpreson të mos përsërisë gabimin e debatit të mëparshëm. Obama u lehtësua disi gjatë ditëve të fundit, kur të dhënat e papunësisë u përmirësuan ndjeshëm. Statistikat u përmirësuan aq shumë, sa disa konservatorë akuzuan se qenë manipuluar.

Shpresa e Romney, meshkujt e bardhë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›