E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa e pashpresë mundet nga Bjellorusia

Shkëndijat në ndeshjen me Austrinë katër ditë më parë shkaktuan vetëm iluzione, pasi Shqipëria U-21 që zbriti dje në "Niko Dovana" ndaj Bjellorusisë la shumë për të dëshiruar, edhe pse në radhët e saj kishte të huazuar "yjet" e rinj të Kombëtares së madhe. Kjo ka qenë një tjetër goditje e rëndë për përfaqësuesen tonë të moshave në këtë fushatë të eliminatoreve të Europianit të kësaj grupmoshe. Sikur të mos mjaftonte humbja 4-2 në Minsk, të rinjtë e Kombëtares janë mundur edhe në shtëpi me rezultatin 2-1 nga bashkëmoshatarët bjellorusë në sytë e rreth 150 tifozëve dhe trajnerit të Kombëtares A, Josip Kuzhe, duke lënë pas në grup vetëm Azerbajxhanin. Miqtë kanë kaluar dy herë në epërsi, me të njëjtin autor golash, Skavysh (8‘ dhe 36‘), ndërkohë që në minutën e 76 ka shkurtuar diferencën Roshi. Loja e Shpresës sonë në këtë ndeshje ka lënë shumë për të dëshiruar, ka qenë larg performancës së para tri ditëve me Austrinë, pavarësisht se trajneri Bushati kishte thirrur nën armë edhe disa lojtarë të Kombëtares, tashmë, si portierin Ujkani, Hykën, Vilën dhe Veliun. Por, kjo gjë duket se ka krijuar mungesë harmonie mes lojtarëve, të cilët nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin, duke ia dorëzuar mesfushën totalisht kundërshtarit, që ka treguar supremaci edhe në aspektin fizik. Për Shpresën e drejtuar nga Artan Bushati, kjo ishte humbja e pestë në shtatë takime për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 dhe e dyta në katër takime të luajtura në Shqipëri pas asaj me Skocinë (0-1) në "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit. Shpresa ka vetëm një fitore dhe një barazim, pra katër pikë, ndërkohë që ka luajtur 7 ndeshje. Golavarazhi i ekipit tonë Shpresa, gjatë këtyre ndeshjeve, është negativ: 17-9. Më poshtë, ja edhe skeda e plotë e ndeshjes së "Niko Dovanës", e fituar nga Bjellorusia 2-1.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›