E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëri – Kosovë, kontakte të drejtëpërdrejta mes drejtuesve të policisë dhe patrullime të përbashkëta

Shqipëria dhe Kosova kanë rënë dakord që të zgjerojnë hetimet e përbashkëta dhe operacionet policore.

Kjo u bë e ditur pas takimeve në Tiranë mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.  

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. 

Të dy drejtuesit e policive theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjen të kontakteve të drejtpërdrejta mes drejtuesve të strukturave të hetimit të krimit, të kufirit dhe atyre të sigurisë publike. 

Rëndësi e veçantë iu kushtua dhënies së mbështetjes reciproke në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti në fushën e krimeve kibernetike. 

Dy homologët vunë theksin te patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në patrullimet e përbashkëta për sigurinë rrugore, duke qenë se gjatë sezonit veror fluksi i lëvizjeve nga Kosova dejt zonave bregdetare të Shqipërisë është shumë i lartë. 

Zoti Rumbullaku dhe zoti Hoxha diskutua edhe rreth koordinimit dhe bashkëveprimit të të dy policive, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. 

Palët theksuan vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me njëra tjetrën si faktor i rëndësishëm për sigurinë në rajon e më gjerë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›