E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Angli në “Air Albania”, masa për sigurinë dhe rregullat e hyrjes në stadium

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Në prag të ndeshjes Shqipëri-Angli që do të zhvillohet të dielën e 16 nëntorit në stadiumin “Air Albania”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) kanë njoftuar një sërë masash organizative dhe udhëzimesh për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes.

FSHF dhe Policia e Shtetit ftojnë të gjithë tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e përcaktuara për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Sipas njoftimit, në ditën e ndeshjes do të vendosen tabela orientuese në perimetrin e jashtëm të stadiumit për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjet dhe tribunat përkatëse, sipas biletës së blerë.

Në pikat e hyrjes do të vendosen kosha plastikë për grumbullimin e sendeve të ndaluara që mund të zbulohen gjatë kontrolleve fizike, ndërsa monedhat dhe sendet e vogla do të mblidhen nga përfaqësues të Kryqit të Kuq.

Të gjithë tifozët duhet të jenë të pajisur me biletë përkatëse, ndërsa futja e fëmijëve pa biletë nuk do të lejohet, pavarësisht moshës, për të shmangur mbipopullimin dhe bllokimin e shkallëve. FSHF paralajmëron gjithashtu se biletat e falsifikuara apo të dublikuara nuk do të njihen nga sistemi elektronik dhe poseduesit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.

Portat e stadiumit “Air Albania” do të hapen tri orë përpara fillimit të ndeshjes, ndaj autoritetet kërkojnë nga tifozët të mbërrijnë në kohë, të ndjekin udhëzimet e rendit dhe të drejtohen drejt tribunës së përcaktuar në biletë.

FSHF falënderon të gjithë sportdashësit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke bërë thirrje që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë sportive, të sigurt dhe korrekte për të gjithë pjesëmarrësit.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›