E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëri–Bullgari zgjerojnë bashkëpunimin, Miloshev: E nevojshme linja ajrore Tiranë–Sofje

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Ministri i Turizmit i Bullgarisë, Evtim Miloshev, ishte për një vizitë zyrtare në vendin tonë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjatë takimit me homologen shqiptare, Mirela Kumbaro u nënshkrua një plan i përbashkët veprimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e turizmit.

Ministri bullgar në një intervistë televizive sqaroi se qëllimi i vizitës së tij ishte nënshkrimi i planit të veprimit për 3 vitet e ardhshme. Ministri nënvizoi se është i nevojshëm krijimi i linjës ajrore direkte Tiranë–Sofje.

“Arritjet e vendin tuaj në fushën e turizmit gjatë viteve të fundit janë të mëdha e të dukshme. Dhe kjo është një premisë e mirë për bashkëpunimin tonë të ardhshëm. Për të rritur bashkëpunimin ka vlerë të rëndësishme edhe marrëdhënia e shkëlqyer mes dy vendeve”, u shpreh ai.

“Por është një element që na pengon shumë në fushën e turizmit dhe kjo është mungesa e linjës ajrore direkte Tiranë-Sofie. Kjo ishte edhe temë e rëndësishme e diskutimit me ministren me të cilën ramë dakord që ne si përfaqësues të dy shteteve duhet të krijojmë të gjitha premisat dhe kushtet e përshtatshme nga ana politike në mënyrë që kjo të realizohet sa më shpejt”, vuri në dukje Miloshev.

Sipas tij, edhe në Bullgari, mungesa e fuqisë punëtore në turizëm përbën një problem kryesor. Miloshev shtoi se “duhet të punojmë së bashku që turizmin ta kthejmë si paketë ballkanike, që të kemi një turizëm gjithëvjetor dhe në këtë mënyrë do të kemi më të lehtë edhe të sigurojmë punonjës të kualifikuar”.

Ministri i Turizmit i Bullgarisë theksoi se bashkëpunimi rajonal mund ta kthejmë edhe në përfitim sa i përket fondeve të BE-së.

“Nëse ne bashkohemi si rajon do të kemi mundësi më të mëdha për të fituar edhe nga projektet e BE dhe këto fonde do të na bëjnë të investojmë më shumë që të kemi një turizëm të qëndrueshëm”, tha Miloshev. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›