Shqipëri-Egjipt lidhje me internet, kompania hungareze “4iG” do të ndërtojnë rrjetin nënujor të fibrës optike

Marrëveshjen me kompaninë hungareze 4iG e cila do të investojë deri në 115 milionë euro për ndërtimin e rrjetit kabllor me fibra optike, kryeministri Edi Rama e vlerësoi si të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe private.
“Ky është një projekt i mirëseardhur që do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurt të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse mes Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë që të garantojë një akses në këtë rrugë të re, në këtë autostradë të re digjitale të Mesdheut për një sërë vendesh të Europës Qendrore”, tha Rama.
“Mundësia për këto kabllo nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Egjiptin është me rëndësi kyçe qoftë për Shqipërinë, qoftë për 4iG. Ky projekt do të lejojë Shqipërinë që të bëhet një pikë e re hyrëse dhe një vendndodhje strategjike për operatorët afrikanë, të Lindjes së Mesme dhe aziatikë. Projekti shënon një moment kyç në evoluimin digjital të Shqipërisë”, tha Peter Fekete, administrator i 4iG.
Linja nënujore e internetit mes Shqipërisë dhe Egjypitit është e katërta për nga lloji por më e madhja për nga siguria dhe trafiku i të dhënave që do të kalojnë përmes saj. Ajo do ta lidh ndërkombëtarisht vendin tonë me shumë rrugë të tjera digjitale nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Azia.