E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Itali, zgjidhet çështja e importit të verës italiane

Doganat Shqiptare dhe Agjencia e Doganave të Italisë kanë dakordësuar një zgjidhje teknike për problematikën e importit të verës nga Italia.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Besmir Beja, është njoftuar nga autoritetet italiane për pranimin e propozimit që synon të normalizojë gjendjen aktuale, duke respektuar edhe legjislacionin italian në fuqi.

Dogana Shqiptare fton të gjithë importuesit të vijojnë importet sipas procedurave në fuqi dhe sqarimeve teknike të detajuara që do të publikohen në faqen zyrtare të doganave.

Operatorët importues të verës nga Italia, që nga fillimi i këtij viti po përballen me rritje të pagesës për akcizën, për shkak të mosaplikimit të diferencimit të parashikuar në ligj.

Kuadri ligjor shqiptar bën dallim në nivelin e akcizës mes verës së importuar nga prodhues me prodhim vjetor deri në 10 mijë hektolitra/vit dhe prodhuesve me prodhim mbi 10 mijë hektolitra/vit. Pragu i prodhimit është thelbi i asaj që në praktikë quhet akcizë e diferencuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›