E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja zhvilluan një inspektim në Pikën e Inspektimit Kufitar Morinë, ku u vlerësua ecuria e bashkëpunimit dypalësh në garantimin e sigurisë ushqimore dhe lehtësimin e procedurave të tregtisë ndërkufitare.

Gjatë vizitës, ministri Salla theksoi se Shqipëria dhe Kosova po thellojnë koordinimin institucional për ngritjen e një sistemi kontrolli kufitar më efikas, përmes harmonizimit të procedurave dhe standardeve, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Sipas Sallës, ky bashkëpunim synon jo vetëm garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, por edhe përshpejtimin e lëvizjes së mallrave, uljen e barrierave administrative dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.

Inspektimi në Pikën e Inspektimit Kufitar Morinë vjen si një hap konkret në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse të Shqipërisë dhe Kosovës, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për zbatimin e standardeve evropiane dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve kufitare.


/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›