Shqipëri–Letoni marrëveshje kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore

Shqipëria dhe Letonia parafirmosën sot marrëveshjen kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore.
Marrëveshja u parafirmos nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, ndërsa për palën letoneze nga ekspertja e lartë e Departamentit të Sigurimeve Shoqërore, në Ministrinë e Mirëqenies, Daina Fromholde.
Marrëveshja siguron një gamë të gjerë përfitimesh për qytetarët shqiptarë, si: pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe atë të invaliditetit. Gjithashtu, ajo garanton bashkimin e periudhave kontributive, duke mundësuar që qytetarët të mos humbasin vitet e punës dhe të përfitojnë nga sigurimet shoqërore në të dyja shtetet.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë. Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë.
Me Greqinë vijon debati teknik, pasi është një proces i gjatë, edhe i vështirë. Me Letoninë negociatat nisin në prill. Në proces janë negociatat edhe me Slloveninë e Moldavinë. Me Izraelin është rënë dakord, po rakordohen agjendat që e çon numrin në rreth 27-28 marrëveshje.