E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-San Marino, mungon Sherri në Kombëtare rikthehet Fetai

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Air Albania”, në prag të ndeshjes së katërt të UEFA Nations League ndaj San Marinos.

Të gjithë lojtarët e grumbulluar u stërvitën nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran për rreth 60 minuta, me fokus kryesor te përgatitjet taktike për sfidën e nesërme.

Mbrojtësi Ardian Ismajli zhvilloi stërvitje të diferencuar për shkak të ngarkesës fizike të akumuluar në tri ndeshjet e fundit. Sipas stafit mjekësor të Kombëtares, lojtari është i gatshëm për ndeshjen ndaj San Marinos dhe nuk ka pësuar dëmtim.

Ndryshimi i fundit në listën e Kombëtares lidhet me portierin Alen Sherri. Pas shqetësimit muskulor të shfaqur gjatë ndeshjes në transfertë ndaj Finlandës, Sherri iu nënshtrua kontrolleve mjekësore, të cilat konfirmuan se nuk është në gjendje optimale për të luajtur në sfidën e nesërme.

Në vendin e tij është ftuar portieri i Kombëtares U-21, Alain Taho, i cili do t’i bashkohet ekipit të martën dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Maran.

Ndërkohë, mesfushori Feta Fetai është rikthyer në dispozicion të Kombëtares A, pasi nuk mundi t’i bashkohej U-21 për ndeshjen miqësore me Ukrainën për shkak të problematikave me dokumentacionin.

Sipas FSHF-së, Fetai kishte tejkaluar afatin 90-ditor të qëndrimit në zonën Shengen gjatë një viti kalendarik dhe aktualisht është në procesin e pajisjes me leje qëndrimi në BE përmes klubit të tij.

Shqipëri-San Marino do të luhet nesër, më 6 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

1 nga 2

/gj.m/j.p

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›