Shqipëri-San Marino, përballja e 6-të, kuqezinjtë me bilanc perfekt dhe golaverazh 16-0

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Shqipëria përballet sonte me San Marinon në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, në përballjen e gjashtë në historinë e dy kombëtareve.
Bilanci i pesë ndeshjeve të mëparshme është tërësisht në favor të kuqezinjve, të cilët i kanë fituar të gjitha sfidat, ndërsa San Marino nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Shqipëria ka realizuar 16 gola në këto përballje.
Sfida e parë mes dy skuadrave u zhvillua më 16 gusht 2006 në Serravalle, në një ndeshje miqësore që Shqipëria e fitoi 3-0. E njëjta shifër u regjistrua edhe në përballjen e dytë, më 8 qershor 2014, sërish në San Marino.
Dy ekipet u përballën më pas në eliminatoret e Kupës së Botës 2022. Më 31 mars 2021, Shqipëria fitoi 2-0 në transfertë, ndërsa më 8 shtator të po atij viti regjistroi fitoren më të thellë ndaj San Marinos, 5-0 në Tiranë.
Përballja e pestë u zhvillua më 29 shtator 2026, në kuadër të Ligës së Kombeve, me Shqipërinë që fitoi 3-0 në transfertë.
Kështu, në pesë ndeshjet e luajtura deri tani, kuqezinjtë kanë bilanc 5 fitore, asnjë barazim dhe asnjë humbje, me golaverazhin 16-0.
Përballjet Shqipëri-San Marino:
16 gusht 2006: San Marino 0-3 Shqipëri – miqësore
8 qershor 2014: San Marino 0-3 Shqipëri – miqësore
31 mars 2021: San Marino 0-2 Shqipëri – eliminatoret e Botërorit 2022
8 shtator 2021: Shqipëri 5-0 San Marino – eliminatoret e Botërorit 2022
29 shtator 2026: San Marino 0-3 Shqipëri – Liga e Kombeve
Sonte, dy kombëtaret do të përballen për herë të gjashtë, këtë herë në “Air Albania”, me ndeshjen që nis në orën 20:45.
/gj.m/r.e/a.f/