E Premte, 6 Nëntor 2026

Shqipëria, Britania e Madhe dhe Kosova, deklaratë bashkëpunimi kundër migracionit të paligjshëm

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar kanë nënshkruar gjatë Ministerialit të mbajtur në Tiranë, një Deklaratë Bashkëpunimi, përmes të cilës nënvizohet se tre vendet përballen me sfida të përbashkëta, nisur nga migracioni i paligjshëm tek krimi i organizuar.

Kjo deklaratë u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ministri i Punëve të Brendshme e Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministri i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, Michael Tomlinson.

Tre ministrat Balla, Tomlinson dhe Sveçla konfirmojnë angazhimin për të bashkuar përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në Deklaratë thuhet se bashkëpunimi i zgjeruar në nivel operacional midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta, do të ndihmojë në çmontimin e grupeve kriminale që lehtësojnë kalimet e paligjshme të kufirit duke shfrytëzuar migrantët dhe refugjatët vulnerabël.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria sjellin ndërmend Komunikatën e Përbashkët të vitit 2022, e cila u fokusua në masat e zgjeruara për të trajtuar migracionin e paligjshëm. Kjo përfshinte krijimin e një taskforce të përbashkët të Migracionit Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri dhe rezultoi në uljen e mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare me 90% në vitin 2023.

Megjithatë, përmes dokumentit të firmosur sot, ministrat theksojnë se krimi i organizuar i imigracionit mbetet akoma sfidë, duke përfshirë transitin e shtetasve të vendeve të treta brenda Ballkanit Perëndimor dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Kosova i bashkohet taskforcës së Përbashkët të Migracionit për të ofruar një reagim të përbashkët të zbatimit të ligjit ndaj migrimit të paligjshëm. Kjo do të mundësojë rritjen e aktivitetit të përbashkët operacional dhe rritjen e niveleve të shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit.

1 nga 3

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›