Shqipëria bën histori, fiton 0-1 në Andorrë, kuqezinjtë shkojnë për herë të parë në Play-Off të Kampionatit Botëror

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shkruar një kapitull të artë në historinë e saj, duke siguruar për herë të parë vendin në Play-Off-in e një Kampionati Botëror. Kuqezinjtë vuajtën, por morën fitoren jetike 0-1 kundër Andorrës, duke përfituar edhe nga fitorja e Anglisë 2-0 ndaj Serbisë.
Ekipi i Sylvinhos e nisi ndeshjen me dëshirë të madhe, duke u munduar të shkojë shpejt te goli. Tentativa e parë serioze erdhi nga një goditje dënimi e Kristjan Asllanit, por topi përfundoi jashtë.
Ndërkohë, edhe vendasit ishin të rrezikshëm me kundërsulme, duke shkaktuar disa “drithërima” në portën e mbrojtur nga Strakosha. Momenti më i nxehtë i pjesës së parë ishte në shtesë, kur vetëm traversa ndali Gjimshitin nga një goditje këndi.
Goli i artë i Asllanit
Në pjesën e dytë, Kombëtarja rriti presionin, duke shpërblyer menjëherë punën e saj. Goli i shumëpritur erdhi nga mesfushori i talentuar, Kristjan Asllani, i cili shfrytëzoi në maksimum një asist të saktë nga krahët i ardhur nga Myrto Uzuni.
Goli i Asllanit rezultoi vendimtar për fatet e ndeshjes dhe grupit.
Arritja historike
Me këtë fitore, Shqipëria siguron vendin e dytë në grup, duke grumbulluar 14 pikë, 4 më shumë se Serbia, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur. Kjo arritje e jashtëzakonshme i siguron Shqipërisë një vend në Play-Off-in që mund t’i japë biletën për në fazën finale të Kampionatit Botëror.
“Ec Atyyyy Shqipeeeeee!”: Kryeministri Rama feston kualifikimin historik të kombëtares në Play-Off
Kualifikimi historik i Kombëtares Shqiptare në Play-Off-in e Kampionatit Botëror, i siguruar me fitoren 0-1 ndaj Andorrës, ka nxitur një valë emocionesh në të gjithë vendin, përfshirë edhe reagimin e lidershipit politik.
Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë pas ndeshjes së sotme (13 Nëntor), duke shprehur me entuziazëm mbështetjen dhe krenarinë e tij për arritjen e kuqezinjve.
Në një postim të shkurtër, por plot pasion në Facebook, Kryeministri shkroi:
“Ec atyyyy shqipeeeeee. FOOORCAAA SHQIPËRIAAAAA🇦🇱 Krenarë për kuqezinjtë.“
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur i gjithë vendi po feston arritjen e madhe të ekipit të drejtuar nga trajneri Sylvinho, të cilët falë golit të Kristjan Asllanit, siguruan vendin në fazën e Play-Off-it, duke hapur rrugën për ëndrrën e Botërorit.
Presidenti Begaj: Urime dhe suksese për Kombëtaren
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas fitores së Kombëtares shqiptare ndaj Andorrës, duke u bashkuar atmosferës së gëzimit që ka pushtuar vendin.
Pas ndeshjes, ku kuqezinjtë arritën të sigurojnë tri pikë të arta, Presidenti Begaj ka reaguar me një mesazh të shkurtër duke shkruar “Urime dhe suksese për Kombëtaren.”
Shqipëria triumfoi në Andorrë me shumë sakrifica dhe vuajtje, por në fund arriti të marrë rezultatin e dëshiruar.
Kjo fitore jo vetëm që i siguroi Kombëtares vendin në “play off”-in e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, por gjithashtu i lejoi kuqezinjtë të lënë pas Serbinë në renditje, duke forcuar pozitat e tyre ndërkombëtare.
/rtsh.al/