E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëria dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit, Hasani: Cenon sigurinë në Lindjen e Mesme

Shqipëria dënon sulmin e Iranit ndaj izraelit. Ministri i Jashtëm Igli Hasani  tha se ky sulm cenon sigurinë në rajon dhe shkakton paqëndrueshmëri në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme. Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”,  shkruan ministri Hasani në platformën X.

Gjithashtu edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka këshilluar shqiptarët në Izrael që të tregojnë kujdes dhe “të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”.

Ministria e Jashtme thotë se është në kontakt me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael, ndërsa ka vënë në dispozicion numra kontakti për të gjithë shqiptarët për çdo rast nevoje.

 “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael. U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase.

Për çdo nevojë të mundshme të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael: +972 54-904-2813 dhe +972 54-480-6601”,thuhet në njoftim.

Më 13 prill Irani nisi sulmin ndaj Izraelit duke e sulmuar me më shumë se 300 dronë. Këto raketa u shkatërruan në masën 99 % nga sistemi mbrojtës i Izraelit në bashkëpunim me SHBA-në.

Forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani.

Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër prej dekadash, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit. Ai vjen pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë, përfshirë një komandant të lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›