Shqipëria dhe Greqia bashkëpunim për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve gjatë festave dhe sezonit turistik

Shqipëria dhe Greqia do të bashkëpunojnë për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve kryesisht për festa dhe gjatë sezonit turistik që nis së shpejti.
Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi mes zëvendësministrit të Brendshëm Andi Mahila me zëvendësministrin e Mbrojtjes Qytetare dhe Emigracionit të Greqisë, Eleftherios Oikonomou në kufirin mes dy vendeve.
“Synojmë fillimisht lëvizje të sigurt dhe pa probleme, kryesisht për periudhat e festave siç është kjo e Pashkëve, gjatë javës së ardhshme, por patjetër edhe gjatë sezonit turistik dhe festave të fundvitit” tha zoti Mahila.
Bashkërendimi i veprimeve të përbashkëta për vënien në funksion të Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, marrëveshje e cila është nënshkruar midis dy qeverive dhe ratifikuar nga parlamentet respektive, ishte një temë tjetër diskutimi e takimit dypalësh.