Shqipëria e trishtë e Hilës
Edi Hila sjell në një ekspozitë Zbrazëtia ludike e objektit. Kuratori Gëzim Qëndro sjell një rrëfim mbi atë çfarë përfaqëson arti i Hilës në dy kohë, gjatë realizmit socialist dhe pas rënies së komunizmit.
Bisedat me Edi Hilën duket sikur të zhvendosin nga kafeneja ku mund të jesh duke pirë kafenë, në një galeri të madhe arti. Hila duket sikur ecën me galerinë e tij, e cila ashtu si çdo galeri e madhe në botë, vijon të mbetet e bukur, pikërisht se është e mbushur me tablo arti të vërteta. Hila beson tek e vërteta dhe pavarësisht asaj çfarë të ofron realiteti sot, pikturat e tij vijojnë të jenë të ndjeshme, pikërisht për të vërtetat që mbartin. Pikturat e tij kanë qenë gjithnjë një rrëfim për kohën. Nëse më 1971-in, ai krijoi pikturën Mbjellja e pemëve, një punë e cila përmes pemëve të marrosura sillte pak ngjyrë e shpresë, në Shqipërinë socialiste, gjë që do ti kushtonte artistit punë të detyruar jashtë Tiranës, më 2005-n ai krijonte të tjera punë, të cilat flisnin për Shqipërinë e asaj kohe. Ai tregonte se fantazmat e totalitarizmit vijonin të ishin sërish aty dhe se e shkuara ishte ende gjallë. Realiteti ka qenë gjithnjë një burim frymëzimi për artistin, i cili vijon të mbetet aktiv në krijimtarinë e tij. Këtë herë, Hila rivjen sërish me një ekspozitë, por duke sjellë një rrëfim ndryshe. Ai ka vendosur të flasë përmes objekteve, të cilat nuk i ka marrë nga imagjinata, por i ka parë diku, teksa kthehej nga një udhëtim ose gjatë një shëtitjeje …ose në rrugën e përditshme për në Akademi. Objektet e Hilës janë një rrëfim për të treguar mendjen njerëzore. Dhe pse në dukje mund të ngjasojnë të thjeshta, ato janë një skaner filozofik i shoqërisë. Hilës i pëlqen të shohë përtej të dukshmes, për të zbuluar arsyet që i kanë dhënë jetë formës. Ekspozita e quajtur Zbrazëtia ludike e objektit është hapur dje në ambientet e universitetit Polis. Për kuratorin e kësaj ekspozite, Gëzim Qëndro Edi sjell konceptin realist në artin postmodern shqiptar me po atë guxim dhe thjeshtësi, i lodhur nga maska e buzëqeshur e homosocialisticus-it dhe hipokrizia e artit zyrtar. Në një intervistë më poshtë, Qëndro flet mbi atë çfarë mbart arti i Hilës…
Si do ta shpjegonit me pak fjalë konceptin e ekspozitës Zbrazëtia ludike e objektit?
Mendoj se koncepti kuratorial mbështetet mbi dy elemente që krijojnë thurimën kuptimore dhe sinergjinë e tablove të ekspozitës së Edi Hilës: faza liminale (lat. limen prag) (si kohë dhe hapësirë) me të gjitha karakteristikat e saj; dhe zbrazëtia ludike (hedoniste) e objektit teknologjik apo të tregtueshëm që vjen si rezultat i padukshmërisë strukturore tipike për fazën liminale në historinë e një vendi. Vetë objekti si shenjues kthehet në simptomë të hapësirës kohore liminale midis të shkuarës komuniste dhe të ardhmes konsumeriste, por i zbrazur nga përmbajtja ludike dhe hedoniste.
A janë subjektet e zgjedhura nga Hila, një reflektim i realitetit socialpolitik të kohës? Çfarë reflektojnë këto subjekte?
Të gjitha veprat e kësaj ekspozite përmes zgjedhjes së subjektit, teknikës së pikturimit, organizimit të hapësirës mbajnë vulën e përvojave liminale apo pragnore duke na përcjellë atmosferën e lidhur me gjendje krizash apo shembjen e plotë të rendit. Karl Jaspers-i e lidh këtë situatë me konceptin e epokës aksiale e cila qëndron si periudhë e ndërmjetme midis dy pikëpamjesh të strukturuara mbi botën; në rastin konkret midis parajsës komuniste dhe parajsës konsumeriste. Ngjarjet historike si revolucionet politike dhe shoqërore së bashku me periudhat e krizës mund të quhen po ashtu liminale dhe kanë rëndësi të madhe, sepse priren të marrin përsipër vetitë e strukturës, ndërkohë që në vetvete nuk janë veçse elemente embrionale të saj. Liminaliteti (i përcjellë aq mirë nga atmosfera gri që mbretëron në të gjitha tablotë, grija po ashtu është një hapësirë liminale midis të bardhës dhe të zezës) përbën zonën e ndërmjetme midis pikënisjes dhe pikëmbërritjes dhe si e tillë është e përkohshme dhe përfundon kur vendi që ndodhet në një gjendje të tillë pranohet në statusin dhe identitetin e ri nga bashkësia e kombeve. Të gjitha tablotë përcjellin situata të lidhura me këtë fazë. Objekti teknologjik apo i tregtueshëm në tablotë e Edit shfaqet si paradigmë e mirëfilltë e fazës liminale, pasi përmban një nga vetitë më kryesore të saj: çrregullimin e plotë të strukturës dhe infrastrukturës pikërisht atë që Victor Turner-i e quan prirje antistrukturë apo padukshmëri strukturore, veçori që duket haptas në vendosjen e objektit të tregtueshëm në marrëdhënie me hapësirën dhe blerësin dhe thurimën e marrëdhënieve njerëzore, kulturore që krijohen në to. Rezultat i kësaj situate të pazakontë është zbrazja e objektit nga përmbajtja e tij ludike dhe hedoniste, qëndrimi vetëm në nivelin e plotësimit të një nevoje, por jo të një dëshire, sepse dihet se ne mund të kemi nevojë për një objekt, por jo dëshirë dhe anasjelltas. Objektet që gjallojnë në botën e hirnosur të tablove të kësaj ekspozite po ashtu qëndrojnë në hapësirën liminale midis dëshirës dhe nevojës duke paraqitur një objekt të përjashtuar nga strategjitë e marketimit dhe reklamës, të cilat janë pjesë e një strukture të mirorganizuar që ka si pikësynim kryesor jo plotësimin e nevojave, por ngjalljen e dëshirës. Për shkak të mjedisit që i rrethon dhe banalitetit të hapësirës përreth qëndrojnë si mundësi përmbushjeje të një nevoje, por jo të një dëshire, ku mundësia për të ngjallur dëshirën zbehet, në mos asgjësohet krejt nga mjedisi i zymtë ku janë vendosur objektet. Por kjo antistrukturë, qoftë e nxjerrë jashtë strukturës anemike institucionale, qoftë si sfidë përballjeje me të, zakonisht perceptohet si rrezik për strukturën institucionale nga ata që janë ngarkuar ta mbrojnë. Por duhet thënë se kjo ekonomi paralele është edhe burim strukture të cilën antropologët që studiojnë fazën liminale e përkufizojnë si inferiore. Megjithëse konceptohet si kaotike, ajo është në fakt burim rendi dhe sigurie për një shtresë të caktuar të shoqërisë. Antistruktura krijon mundësi të pafundme për aftësitë krijuese të tyre duke ofruar shembuj të habitshëm marketimi apo tregtimi, të cilët mund ti shohim në mënyrën se si janë ofruar për shitje objektet që janë personazhet kryesore të tablove të kësaj ekspozite.
Gjuha e objekteve dhe përdorimi i tyre, shpesh dhe si një simbol psikologjik, e sjell artistin në rolin e një eksploruesi të realitetit, i cili ka bashkangjitur copa prej tij, për ti treguar në telajo? Pse kjo lidhje e autorit me objektet?
Sepse mendoj, modernitetin, Perëndimin ne shqiptarët i kemi përfytyruar gjithmonë si mbretëria e objekteve të konsumit: vetura luksoze, vila, pishina, peliçe të shtrenjta, sfilata mode, parfume, veshje nga firma të njohura që fatlumët që dikush ua kishte sjellë nga jashtë i mbanin tepër krenarë duke zilepsur keqas bashkëmoshatarët e tyre. Kjo mund të lidhet edhe me faktin që të gjitha këto që përmenda ndaloheshin të hynin në Shqipëri si bartës subversivë të një ideologjie dhe mënyre jetese të huaj për moralin puritan komunist. Mbretëria e objekteve teknologjike dhe të konsumit dhe kapitalizmi i konceptuar si utopi, si parajsë konsumeriste mbërriti fillimisht në Shqipërinë e izoluar hermetikisht përmes imazheve katodike të televizioneve të huaja të ndjekura asokohe me ëndje nga e gjithë popullsia e që përbënin asokohe substanc