E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria emeton Eurobondin e ri 650 milionë euro, Ibrahimaj: “Do të justifikohet me rritje ekonomike”

Shqipëria emeton me sukses Eurobondin e ri 10-vjeçar, duke rikonfirmuar besimin e investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare, çka pasqyron më së miri shëndetin e plotë financiar të vendit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj  bëri të ditur se, “Shqipëria ka dalë për herë të pestë në tregjet ndërkombëtare dhe ky operacion kaq i rëndësishëm u përmbyll me sukses dje”.

“Eurobondi u emetua me vlerën 650 milionë euro dhe me një afat maturimi 10-vjeçar.  Kuponi eurobondit ishte 3.5% dhe norma afatgjatë ishte 3.75%. Eurobondi do të maturohet në muajin nëntor 2031. Krahasuar me dy vitet e fundit, ky Eurobond pati një kupon i cili është i për afër me dy vitet e fundit, por maturimi është për një periudhë më të gjatë se herët e tjera”, theksoi ministrja gjatë konferencës për shtyp.

Ibrahimaj tha se, Eurobondi do të shërbejë për rritjen e likujditetit në treg dhe të investimeve, për vitin 2021 dhe 2022. Por nga ana tjetër ka rëndësi, theksoi ajo, për garantimin e prezencë së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, por edhe në garantimin e investitorëve të huaja në vendin tonë.

Ministrja shpjegoi se, “interesi për Eurobondin ishte i lartë, pasi ishin 114 investitorë që u interesuan dhe ofruan vlera në mbi 1 miliardë lekë ose në nivelin 63% më e larë se norma e cila u alokua. Përpara daljes në Eurobond na u konfirmuan ato vlera dhe standarde që ishin në muajt më parë. Qeveria shqiptare gjykoi të finalizojë transaksionin 650 milionë euro, duke qenë se likujditeti në tregje në këtë moment është i lartë dhe norma e interesit janë në nivelin më të ulët historik. Ndërkohë që në vijim parashikohet që norma e interesit të rritet dhe bankat qendrore evropiane priten të kalojnë në politika kontraktuese”.

“Sigurisht borxhi nuk është i pëlqyeshëm për asnjë qeveri, por ka edhe elemente pozitive. E para është se ajo përkthehet në investime dhe rritje ekonomike. Pra çdo borxh është përkthyer në dyfishim të investimeve. Nga ana tjetër, një tregues i rëndësishëm është raporti i rritjes ekonomike me deficitin. Pra borxhi duhet të justifikohet me rritje të qëndrueshme ekonomike. Sigurisht që ky është një tjetër raport që ka përmirësime nga viti në vit për Shqipërinë”, përfundoi Ibrahimaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›