Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë, uron politika

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kreu i qeverisë ka uruar nëpërmjet një video të publikuar në Facebook, me jehonën e këngës “Për ty Atdhe”.
“Mirëmëngjesi dhe me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi “Skënderbej” në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, uron Rama.
Vengu: Forcat e Armatosura, spektakël në qytetin e Pavarësisë
Edhe Ministria e Mbrojtjes ka urua festën e Pavarësisë, ku Forcat e Armatosura kanë zhvilluar ceremoni demonstruese të forcave të tyre në qytetin e Vlorës, aty ku u ndrit flamuri kuq e zi.
“Forcat e Armatosura përshëndetën 112-vjetorin e Pavarësisë në qytetin e flamurit, aty ku helikopterët e Forcës Ajrore, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale ofruan spektakël duke valëvitur flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës.
Mijëra qytetarë të mbledhur në Sheshin e Flamurit, por edhe ata nga Lungomare, deri në Orikum, dëshmuan aftësitë dhe kapacitetet e trupave elitarë të Forcave tona të Armatosura, të cilët demonstruan në Gjirin e Vlorës edhe një operacion për marrjen nën kontroll të një anijeje të dyshuar, duke ndërhyrë nga deti me grupet e bordingut dhe ajri me trupat specialë dhe helikopterët Cougar e Black Haëk. Një ditë feste në qytetin e Pavarësisë”, shkruan ministri Pirro Vengu.
Veliaj: Le ta duam më shumë vendin tonë
Urime për Ditën e Pavarësisë ka përcjellë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë! 112 vite krenari, 112 vite histori, 112 vite që ky flamur kuq e zi valëvitet si dëshmi e shpirtit të lirë të një kombi të pathyeshëm. Le ta duam më shumë vendin tonë, ashtu si na e kanë lënë për ta bërë çdo ditë më të bukur, më të fortë dhe më të bashkuar”, uron Veliaj.
Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë
Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në urim, Osmani shkruan se 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë.
“Më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona. 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë. 28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, shkruan Osmani.
Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, në këtë ditë të shënuar, Kurti ka ndarë pamje nga projekti i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari.Gëzuar 28 Nëntori!“, shkruan Kurti.
Basha: 28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar shqiptarët për Ditën e Pavarësisë. “28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi, ashtu sikurse është edhe një moment reflektimi për përgjegjësitë që kemi përpara”, thekson Basha nw urimin e tij.
“Urime 28 Nëntorin, datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Prej ngritjes së dykrenares së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë, te Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Bej Vlora në Vlorë e deri te ditëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jasharit në Prekaz, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë datë.28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi, ashtu sikurse është edhe një moment reflektimi për përgjegjësitë që kemi përpara.Nderim përjetë dhe lavdi të gjithë atyre që u flijuan për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar!”, uron Basha.
Meta: Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë na fton të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë urime për Ditën e Pavarësisë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta fton të gjithë shqiptarët të bashkohen në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar! Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit! Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit.
Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar!Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen!”, uron Meta.
Berisha: Nderojmë dhe i përulemi me mirënjohjen më të thellë flamurit tonë kombëtar
Kryetari i Partisë Demokratike ja përcjellë urimet e tij për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Gëzuar 28 Nëntorin, festën e festave! Miq, sot shqiptarët në Shqipëri dhe kudo jetojnë festojnë 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Ditën e Flamurit tonë kombëtar, ditën e shpalljes nga Ismail Bej Vlora, 112 vite më parë në qytetin e Vlorës, të Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 28 Nëntor të vitit 1443 prijësi i përjetshëm i kombit Shqiptar ngriti flamurin e tij, flamurin Kuq e Zi në Krujë. Po në këtë datë të vitit 1944, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili pasi shndërroi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vllavrasëse, do të vendoste në Shqipëri si “Hitleri shqiptar” i Pas Luftës së Dytë Botërore diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.
Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë dhe i përulemi me mirënjohjen më të thellë flamurit tonë kombëtar, babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të saj. Nderojmë prijësin e përjetshëm të kombit tonë, Skenderbeun dhe qindra mijra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat, për liri dhe dinjitet kombëtarë e njerëzor.
Prandaj të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati. Por në festojmë këtë ditë të madhe me diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, “Pashiqit” të Tiranës, që po shkretëton dhe zbraz sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët dhe që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës. Le të na frymëzojnë n dita e Pavarësisë për të çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i “Pashiqit” të Tiranës.
Duke përfunduar, të dashur miq, le t’i urojmë ne mbarë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Nderim për jetë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të Pavarësisë. Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë. GËZUAR!“, uron Berisha.
Spiropali: Të çojmë flamurin e Kastriotit në BE
Kryetarja e Kuvendit ka uruar Ditën e Pavarësisë. Në mesazh shkruan se, kjo datë na frymëzon të çojmë flamurin e Kastriotit në Bashkimin Europian.
“112 vjet pas nëntorit të lavdishëm të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur, Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, që na bashkon, afron dhe frymëzon, drejt qëllimit tonë kombëtar: të çojmë flamurin e Kastriotit në BE dhe të bëhemi një yll i shtuar në flamurin e familjes së madhe të Europës, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti, historia, gjeografia, arti, kultura, vizioni, e tashmja, e ardhmja, dhe gjithçka”, shkruan Spiropali.
Në këtë 28 Nëntor, Shqipëria është veshur “kuq e zi”, ndërsa një sërë veprimtarish festive janë organizuar në çdo qytet, me flamurin shqiptar që ka “pushtuar” gjithë vendin. Dita e Pavarësisë festohet çdo 28 Nëntor si festë në diasporën shqiptare.
/rtsh.al/