E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria feston Ditën e Çlirimit, krerët e shtetit e të politikës nderojnë të rënët në Varrezat e Dëshmorëve

Shqipëria feston këtë të premte 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Rama, kryeparlmanetarja Elisa Spiropali, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë zhvilluan homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve.

Në një postim në facebook, Presidenti Begaj shkruan se sakrifica e dëshmorëve mbetet amaneti ynë.

“80 vite më parë vendi ynë doli triumfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore  sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë. Sakrifica e tyre është amaneti ynë. Aspirata e tyre për liri mbetet detyrimi ynë për një Shqipëri të lirë e të përparuar”, shkruan Begaj.

Më herët, kryeminsitri Edi Rama zgjodhi të uronte ndryshe këtë ditë të veçantë.

 “Me Diansin, vogëlushi që erdhi në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” dje, Ditën e bekuar të Pavarësisë, ju uroj sot të gjithëve Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit”, u shpreh Rama.

Në 80-vjetorin e Çlirimit, një mesazh përcolli edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

“Në 80-vjetorin e Çlirimit, nderojmë të gjithë dëshmorët, luftëtarët, e martirët e Shqipërisë, jeta dhe vepra e të cilëve ka frymëzuar dhe do të frymëzojë brezat”, tha Spiropali.

Homazhe pranë varrezave të dëshmorëve zhvilluan edhe drejtues të Partisë së Lirisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në territorin e saj hynë forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të merrej edhe Shkodra. Qyteti u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon dhe ditën e çlirimit të gjithë vendit nga pushtimi nazi-fashist. /vizionplus.tv

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›