E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria feston shpalljen e Pavarësisë, uron politika

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Shqiptarët, kudo ku ndodhen, festojnë sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Përfaqësues të lartë të politikës uruan sot festën e Pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale uroi “Gëzuar 113-vjetorin e Pavarësisë, Shqipëri!”.

Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu gjithashtu uroi festën e Pavarësisë.

“Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë! Nga ata që me nder e përkushtim mbajnë uniformën dhe shërbejnë çdo ditë, te çdo qytetar që mban flamurin në zemër. Krenaria kombëtare është një angazhim i përditshëm dhe i përhershëm”, shkruan Koçiu.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar sot shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, duke theksuar rëndësinë kombëtare të 28 Nëntorit dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“113 vjet pas nëntorit të lavdishëm të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur, Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, dhe patriotëve shqiptarë që me shekuj luftuan anë e kënd për Flamurin Kuq e Zi, i cili na bashkon, afron dhe frymëzon si komb, drejt qëllimit tonë kombëtar: të çojmë flamurin e Kastriotit në Sofrën e familjes sonë Europiane, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti, historia, gjeografia, arti, kultura, vizioni, e tashmja, e ardhmja, dhe gjithçka”, shkruan në mesazhin e saj Spiropali.

“Me përulje para sakrificës së të parëve, krenarë për atë që jemi, krah për krah me të gjithë bashkëkombasit kudo në botë”, thekson ajo.

/gj.m//m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›