E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, fitore e vuajtur përballë San Marinos. Dy gola nga Asllani dhe vendi i parë në grup

Shqipëria, fitore e vuajtur përballë San Marinos në “Air Albania”, 2-1 në ndeshjen e katërt të Ligës së Kombeve(Liga C, Grupi1). Megjithatë, është një fitore që na jep vendin e parë në grup.

Në pjesën e parë kuqezinjtë u treguan mjaft kërkues, duke krijuar shumë raste shënimi, por vetëm në njërin prej tyre arritën të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 11-të ishte Asllani që zhbllokoi sfidën me një gjuajtje nga distanca.

Pjesa e dytë kishte një ritëm të ngadaltë, duke i dhënë mundësinë San Marinos të bëjë lojën e saj dhe të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 66-të me anë të Lazzarit.

Përpjekje dëshpëruese të kuqezinjve në minutat në vazhdim, në fund u shpërblyen me një 11-metërsh që u kthye në gol nga Asllani, 2-1.

Me këtë fitore kuqezinjtë mbajnë vendin e parë në grup me 9 pikë, ndjekur nga Bjellorusia e Finlanda me nga 7 pikë dhe në fund San Marino me 0 pikë.

SHQIPËRI-SAN MARINO 2-1

Shënues: Asllani 11’, 90’+3/Lazzari 66′

Mbyllet sfida, Shqipëria mund San Marinon me rezultatin 2-1.

90’ +3 – Gooooool! Shqipëria përsëri në avantazh përballë San Marinos, Asllani ka kthyer në gol një 11-metërsh.

90’ – Asllani godet bukur, por portieri i San Marinos bën mrekullinë duke evituar rrezikun.

87’ – Manaj e Daku pengojnë njëri tjetrin në zonën e San Marinos, një tjetër mundësi e humbur për kuqezinjtë.

78’ – Hysaj shërben bukur për Manajn, por sulmuesi kuqezi nuk koordinohet si duhet duke goditur në mënyrë të gabuar.

66’ – San Marino surprizën kuqezinjtë, Lazzari ka mposhtur portierin Dajsinani duke vendosur barazpeshën.

60’ – Uzuni tenton me një gjuajtje me kokë pas topit të dhënë nga Hysaj, por përfundon mbi traversë.

49’ – Mehmeti, i aktivizuar në vend të Muçit në fillim të pjesës së dytë, tenton me kokë portën e San Marinos, por goditja e tij është e lehtë, pritet pa problem nga Colombo.

Pjesa e dytë…

Mbyllet pjesa e parë në “Air Albania”, Shqipëria në avantazh 1-0 përballë San Marinos me golin e shënuar nga Asllani në minutën e 11-të.

45’ – San Marino rrezikon portën kuqezi. Della Balda godet fuqishëm, por Dajsinani është pozicional.

37’ – Një tjetër mundësi për Manajn, Colombo ka ndalur me këmbë goditjen e sulmuesit kuqezi.

34’ – Hoxha tenton në hyrje të zonës, por goditja e tij është mjaft e lehtë për portierin Colombo.

27’ – Mundësi për San Marinon që shfaqet para portës kuqezi, por Dajsinani tregohet i gatshëm për të pritur topin e goditur nga Capicchioni.

26’ – Një aksion i bukur nga e djathta e sulmit, me Manajn që ndalet nga shtylla.

11’ – Goooool! Asllani shkarkon të djathtën e tij nga një distancë e konsiderueshme, portieri i San Marinos nuk ka se çfarë të bëjë, 1-0.

8’ – Sulme të shumta të kuqezinjve, është radha e Manajt që të provojë, por goditja e tij është qëndrore, ndalet pa problem nga portieri i San Marinos.

7’ – Mundësi për Muçin, por goditja e tij përfundon larg kuadratit të portës

5’ – Asllani në një pozicion mjaft të favorshëm ka goditur me kokë, por pa arritur të gjejë kuadratin.

3’ – Një moment hezitimi i mbrojtjes kuqezi u dha mundësinë lojtarëve të San Marinos të rrezikojnë portën e mbrojtur nga Dajsinani. Ishte pikërisht portieri që ndërlikoi gjithçka, por në fund arriti të largojë rrezikun.

Ka nisur sfida mes kuqezinjve dhe San Marinos në “Air Albania”…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›